Shendet

Rritja e temperaturave do ta bëjë më të vështirë gjumin

Një studim i ri ka shqyrtuar ndikimin që ka ngrohja globale në gjumin tonë.

Ndërsa ngrohja globale përkeqësohet, njësoj do të përkeqësohet edhe aftësia jonë për të bërë një gjumë të mirë gjatë natës.

Si ndikon ndryshimi i klimës në gjumin tonë?

Duke krahasuar motin me të dhënat për gjumin e pjesëmarrësve në studim, studiuesit e Universitetit të Kopenhagës zbuluan se temperaturat e ngrohta gjatë natës dëmtojnë gjumin.

Studiuesit mblodhën mbi 7 milionë të dhëna për gjumin nga më shumë se 47,000 njerëz në 68 vende midis 2015 dhe 2017.

Duke kontrolluar faktorët individualë, tendencat sezonale dhe kohore, ata zbuluan se temperaturat e larta shkurtojnë gjumin. Në netët shumë të ngrohta, me temperatura mbi 30°C, ata zbuluan se njerëzit flenë mesatarisht 14 minuta më pak.

Nëse ritmi i ngrohjes globale vazhdon po njësoj, deri në vitin 2100 çdo person mund të humbë rreth 2 orë gjumë çdo natë.

Njerëzit që tani po humbasin rreth 44 orë gjumë në vit për shkak të temperaturave më të larta këtë shekull.

Pse është e rrezikshme mungesa e gjumit?

Mungesa e gjumit mund të ndikojë në humorin tuaj por nëse një person ka probleme me gjumin për një kohë të gjatë, mund të ketë probleme shëndetësore me pasoja të mëdha.

Studimet e mëparshme kanë treguar se gjumi i pamjaftueshëm mund të ndikojë si mendërisht ashtu edhe fizikisht. Ndikon në uljen e performancës dhe produktivitetit si dhe krijon depresion.

Mungesa e gjumit gjithashtu mund të shkaktojë hipertension dhe probleme me zemrën, të rrisë rrezikun e aksidenteve dhe të përshpejtojë plakjen.

Kush është më i rrezikuar nga mungesa e gjumit lidhur me klimën?

Jo të gjithë ndikohen në mënyrë të barabartë nga efektet e temperaturave të larta në gjumë.

Studiuesit zbuluan se të moshuarit, banorët e vendeve me të ardhura më të ulëta, gratë dhe ata që tashmë jetojnë në klimat më të nxehta janë të ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kjo ka të ngjarë të zgjerojë pabarazitë ekzistuese globale.

Temperaturat janë në rritje në mbarë botën, me rritjen më të madhe të regjistruar gjatë natës. Personat që jetojnë në rajonet më të nxehta përjetojnë më shumë mungesë gjumi për çdo shkallë ngrohjeje.

Studimi tregoi se njerëzit në Azi, Australi dhe Lindjen e Mesme do të preken më shumë nga mungesa e gjumit e lidhur me klimën.

Cila është temperatura ideale për gjumë?

Temperatura ideale për gjumë është rreth 16 deri në 20°C. Trupi juaj rregullon temperaturën tuaj të brendshme ndërsa flini, por temperaturat e jashtme më të larta e bëjnë këtë më të vështirë, veçanërisht për njerëzit e moshuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë