Ngjarje

Rritja e mesatares 2 javë para provimeve, Shahini në interpelancë: Vendimi nuk shtyhet

Rritja e mesatares në arsimin parauniversitar ka bërë që të thirret në interpelancë Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Besa Shahini. Seancën e ka kërkuar deputeti i Bindjes Demokratike, Andi Përmeti, i cili shprehu shqetësimin se rritja e mesatares për të shkruar në universitet vetëm dy javë para se të fillonin provimet shtetërore, ka dëshpëruar maturantët. Në deklaratën e tij Përmeti u shpreh se shqiptarëve nuk u interesojnë më lojërat politike, por arsimi, shëndetësia dhe ekonomia, fushat që i prekin ata drejtpërdrejt.
“Për këtë arsye kam thirrur interepelancë me ministren Shahini për plotësimin e kritereve për pranimin në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve. Bëhet fjalë për ligjin 295 i cili ka hyrë në fuqi në datën 10/5/2019, për përcaktimin e notës mesatare lidhur me studimet në institucionet e arsimit të lartë. Ky vendim ka propozuar rritjen e mesatares duke lënë rreth 10 mijë shqiptarë pa arsim të lartë,” është shprehur Përmeti.

Pas pyetjeve të Përmetit, Ministrja Shahini, parashtroi një sërë hallkash ku sipas saj reforma në arsim ka funksionar, si kurrikulat arsimore dhe cilësia e mësuesve. Ajo ka shtuar se ky vendim është marrë kryesisht për arsyen se nxënësit e dobët nuk mund të jenë mësues në të ardhme dhe është menduar që këta nxënës është më mirë të futen sa më shpejt në tregun e punës me një diplomë profesionale 2-vjeçare.
Ministrja tha se nota mesatare do të vijojë të rritet dhe për lëndën e mësuesisë do të shkojë deri në 8, duke marrë shembull Finlandë, ku roli i mësuesit është parësor. Sipas ministres, vendimi është marrë pas një analize të gjatë dyvjeçare në arsimin e mesëm dhe universitete.

“Qëllimi për përcaktimin e notës mesatare për pranimin në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve është mbështetje e strategjive në funksion të përmirësimit të shërbimit të arsimit të lartë dhe mbështetja e arsimit profesional. Universiteti i Mjekësisë ka vendosur të shkojë përtej vendimit tonë duke vendosur edhe një notë akoma më të lartë mesatare. Kam biseduar me shumë maturantë. I kam njoftuar për vendimin që do merret. Kemi pasur edhe kritika. Miratimi ka qenë nga ata pedagogë që kërkojnë një selektim, ndërsa kritikë kanë qenë ata që mendojnë se do zvogëlohet numri i nxënësve për lëndën e tyre,” u shpreh Shahini.

Por përgjigjet e Ministres, patën një kundërshtim të fortë nga zoti Përmeti. “Ministrja ose nuk kupton, ose nuk do të kuptoni. Mesatarja e rritur për dy javë do të djegë të ardhmen e nxënësve”, tha deputeti i BD. Ai u shpreh se nuk ka asnjë kundërshtim me rritjen e mesatares, por për vitin tjetër që nxënësit të jenë të përgatitur.
“Nuk kam asnjë problem me rritjen e mesatares, por jo me fuqi prapavepruese, kjo është politikë e vjetër. Reflektojini dhe shpëtojini këta fëmijë,” shtoi Përmeti, ndërkohë që Shahini u shpreh se nuk e shikon të arsyeshme shtyrjen e këtij vendimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë