Arsimi

Kohë provimesh – Çfarë po i streson maturantët?!

Si do të jetë provimi? Sa pyetje do të ketë? A do t’ia dal me sukses? Gjatë kësaj periudhe këto janë pyetjet më të shpeshta të nxënësve gjatë provimeve të Maturës Shtetërore. Mes ankthit dhe dëshirës të madhe për të arritur në universitet, normalisht ata përjetojnë një gjendje stresuese.
Sociologia Entela Binjaku, shprehet për Gazetën “Si” se duke qenë se të rinjtë hasen me këtë proces vazhdimisht, stresi nga provimet tashmë nuk është një temë e panjohur. Provimet e lirimit, nënkuptojnë një situatë të tillë ku vlerësohesh për një sasi të madhe informacionesh, proces ndaj të cilit ka pritshmëri edhe nxënësi, edhe mësuesi, edhe prindi. Sipas Binjakut, stresi në periudhën e provimeve tashmë është kthyer në një situatë normale dhe nuk është turp të thuash se në një provim nxënësit mund të kenë edhe frikë.

“Opinioni qytetar në Shqipëri e njeh këtë stres, sepse në gjithë këto 30 vitet e fundit numri i familjeve shqiptare që ka pasur së paku një familjar në sezon provimesh është i lartë. Si me përfundimin e arsimit parauniversitar apo dhe me zhvillimin e jetës universitare stresi i provimeve njihet. Por, këtu ndërhyn edhe stili i jetës apo edhe stili i të mësuarit. ,” shprehet Binjaku.
Ka një sërë studimesh që kanë treguar se stresi i provimeve mund të shkaktojë një gjendje depresive, e cila shpeshherë nuk kalohet lehtë. Sipas një studimi të raportuar nga “The Independent” në Britaninë e Madhe, 94 për qind e mësuesve thanë se nxënësit në periudhën e provimeve janë tepër të stresuar, sa që mund të dëmtojnë veten. Edhe në vendin tonë kemi hasur raste të tilla.

Sociologe Entela Binjaku

Por pse shkaktohet kjo gjendje?
Psikologja Arjana Muça thotë për Gazetën “Si”, se nxënësi është ai që përjeton më së shumti mangësitë në shkolla apo në programet mësimore, të cilat lënë shumë për të dëshiruar dhe për rrjellojë edhe testet po ashtu lënë për të dëshiruar në nxjerrjen në pah të njohurive të nxënësve. Sipas saj, mini-maturat dhe maturat janë kthyer në një makth për adoleshentët.
“Ne nuk e kemi një mësimdhënie të tillë pasi mësuesit tanë janë të lodhur me procedura të cilat reformat arsimore ua diktojnë. Një mësues sot duhet t’u kushtojë më shumë vëmendje letrave se sa mësimdhënies dhe kjo lodhje, kjo shterje e forcave, përcillet tek fëmijët. Fëmijët janë në mes shkollës dhe familjes nga njëra anë, prindër që duan mesatare dhe nota të mira nga ana tjetër, mësues të lodhur por edhe jo të paguar mirë për punën që bëjnë. Motivimi i cili duhet të jetë baza, pothuajse ka humbur,” shprehet psikologja.
Ndër të tjera Muça shpjegon edhe problemet psikologjike të nxënësve gjatë periudhës së provimeve. Sipas saj, stresi u shkakton nxënësve ankth, humbje oreksi, lodhje, gjumë të çrregullt, dhimbje barku, sidomos ditën e provimit.
“Fëmija duhet të jetë në ambientin e shkollës në orë 8 e 30. Ne e dimë që shoqërimi me njëri-tjetrin bën që të përcjellin ankthin nga e panjohura e testit që do bjerë tek njëri-tjetri. Dhe kjo e rrit nivelin e ankthit tek nxënësit. Orari i gjatë i pritjes është një faktor por edhe mungesa e mësuesve, të cilët i kanë pasur si mësimdhënës gjatë viteve akademike ju jep atyre pasiguri. Pra këto faktorë e rrisin nivelin e ankthit deri aty sa të kenë dhe humbje ndjenjash. Jo vetëm kaq testet janë një tjetër problematikë pasi përgatiten nga specialistë të cilët nuk janë pjesë e procesit mësimdhënës dhe shkalla e vështirësisë së testit rritet artificialisht,” shton Muça

Psikologe Arjana Muça

Ndërsa nga ana teknike e provimeve, Ndriçim Mehmeti shpjegon për Gazetën “Si” se më shumë stres nxit fakti i ndryshimit të datave të provimeve. Ai shprehet se nxënësve u duhet një periudhë kohore për të kuptuar ndryshime që ndodhin nga vitit në vit.
“Në këtë vit data 7 e rriti stresin për sa i përket kohës, u bë vetëm një provim me zgjedhje dhe u ndryshua modeli i provimit, sigurisht që ai u pilotua por, prapë unë mendoj se duhet të veprojmë sipas standardeve ndërkombëtare që përcaktojnë se kur ndryshon një pyetje apo një model lajmëron atë që futet në vit të parë,” shprehet Mehmeti.
Sipas tij, nxënësit përjetojnë stres për një sërë arsyesh të ndryshme, duke nisur që nga hartimi i tezës e deri tek rezultatet. Mehmeti shprehet se ndryshimet teknike janë një faktor shumë i madh e që e shtojnë stresin sepse nxënësit mund të jenë mësuar gjatë gjithë kohës me një model dhe kur shikojnë se janë shtuar edhe gjëra të tjera, mendojnë “mos vallë gjithë puna ime duhet të jetë në këtë linjë apo duhet të ndryshoj linjë”, ndërkohë që nuk ka kohë.
Një tjetër fakt shumë i rëndësishëm për menaxhimin e stresit të provimeve, është edhe mënyra se si shoqëria dhe ambienti e percepton rëndësinë e provimeve dhe stresin që ato shkaktojnë. Sociologia Binjaku shprehet se mënyra se si qasjet shoqërore ndihmojnë në këtë rast varen shume edhe nga niveli kulturor i familjeve. Sipas saj, në përgjithësi familjet shqiptare e kanë parë ndryshimin tek shkollimi dhe kjo i ka bërë që t’i mbështesin sipas mundësive të rinjtë kur kanë provime.

“Sigurisht në komunitet qendra këshillimi nuk kemi, edhe shërbimet psikologjike janë të vështira për t’u përballur në rast nevoje, shërbimet mbështetëse psikologjike në qendrat shkollore janë të pamjaftueshme. Pra, edhe nëse shoqëria do të donte t’i ndihmonte më shumë edhe në mënyrë të specializuar, mundësitë nuk janë. Ndaj, në raste te tilla të rinjtë mbështeten tek më të afërmit, tek bashkëmoshatarët apo tek vetja,” shprehet sociologia.
Duke folur për reformën arsimore, sikologia Muça thotë se reformat duhet të jenë në dobi të mësuesve në radhë të parë, pasi kjo përcillet edhe tek nxënësit. Ajo shprehet se provimet e lirimit janë për të nxjerrë njohuritë e marra ndër vite. Gjithashtu, edhe nga prindërit duhet kuptuar që fëmija është testuar gjatë gjithë kohës për njohuritë që ka dhe ndonjëherë dhe mos arritja e një rezultati të lartë nuk është për faj të nxënësve, por të faktorëve psikologjikë që ai përjeton.
Për sa i përket kësaj çështjeje, eksperti Mehmeti shprehet se reforma arsimore është kthyer më së shumti në një reformë “sanitare”. Ai thotë se përpos faktit që kanë rëndësi pajisjet nëpër shkolla apo konvikte, reformat duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe kryesisht të synojnë cilësinë e arsimit, që më pas shoqëria të kuptojë se çfarë ka nxjerrë nga bankat e shkollës.
“Reforma arsimore është diçka e madhe sepse prej andej ne na vinë mjekët e ardhshëm, mësuesit e ardhshëm, ata që do të marrin në dorë fatet tona. Interesi jonë është të shohim që a kemi nxjerrë qytetar,” shtoi Mehmeti.

Ndriçim Mehmeti

Ndërsa për sa u përket praktikave të hartimit të testit eksperti thotë se është e rëndësishëm fakti se nxënësit të familjarizohen me një standard të përcaktuar nga Ministria e Arsimit.
“Duhet të hartojë disa teste të standardizuara që ata të familjarizohen. Pra të mos harrojmë që mësimdhënia nuk është e njëjtë kudo në duhet të mësojmë se çfarë është standardi, si e merr pesën, si e merr gjashtën, pra të kemi një standard të njësuar në të gjithë Shqipërinë, në mënyrë që nesër ai që del nga provimi të jetë i bindur për notën. Në këtë mënyrë Ministria e Arsimit mund të studiojë edhe faktin se ku jemi me cilësinë e arsimit, si është mësimdhënia, sa kanë arritur nxënësit të përfitojnë, sa vlen kjo kurrikul, a duhen ndryshuar,” shton Mehmeti.
Një tjetër çështje e prekshme për ekspertin është edhe fakti se Maturave Shtetërore, u ka rënë vlera, sepse jo vetëm që kopjohet nëpër provime, por ato shpërndahen edhe në rrjete sociale. Duke marrë parasysh këto fakte edhe të tjera, eksperti shpjegon se në vendin tonë ka humbur besnikëria për një arsim cilësor dhe e kemi lënë arsimin në një rënie të lirë.
“Ne nuk çalojmë në mënyrën e kuadrit ligjor, çështja është se nxënësit përgjithësisht nuk ankohen se është testi i vështirë ata ankohen për pabarazi dhe shumica thonë që “nxënësit e rretheve po na marrin degët”. Edhe në rrethe ka shumë të mirë, por nuk mundet që 10 nga rrethet të shkojnë për mjekësi dhe asnjë nga gjimnazi “Petro Nini”, për shembull të mos shkojë, tani ka një pikëpyetje shumë të madhe, sepse dihet që cilësia është më e madhe aty ku ka konkurrencë. Në duhet të realizojmë depolitizimin e shkollës, të bëjmë më të përgjegjshëm mësuesit dhe më të mirë paguar. Pasi gjithçka që po bëjmë është një masakër, që do ta vuajmë,” shprehet Mehmeti.

 

Më Shumë