Sociale

Rritja e infektimeve, gati pavioni i tretë te Covid3, në dispozicion edhe Covid4

Teksa vendi ynë po përballet me shifra në rritje të rasteve me Covid-19, është gati dhe pavioni i tretë i spitalit COVID 3.

Lajmin e ka bërë me dije nëndrejtoresha e QSUT, dr. Arjana Strakosha me anë të një videomesazhi.

“Sikurse e shihni kemi kapacitete shtretërish të lirë për t’u shërbyer qytetarëve. Në gjendje të gatshme për të pritur të gjitha llojet e stadeve të sëmundjeve, me investimet përkatëse”, tha Strakosha.

Strakosha shpjegon se në skenarët e parashikuar, në gjendje për të pritur të sëmurët është dhe Covid 4pasi të mbushen gjithë kapacitetet e Covid1, Covid2 dhe Covid3.

Ndër të tjera, mjekja u bën apel qytetarëve që të respektojnë rregullat e vendosura për të shmangur fluksin në spitale dhe për ta përballuar sa më lehtë fluksin e pacientëve.

“Nga ana tjetër për të eleminuar pikërisht dyndjen e të sëmureve drejt spitaleve, u bëj edhe njëherë thirrje qytetarëve të zbatojnë me rigorozitet rregullat. Nuk është sëmundje e lehtë. Nuk është shaka. Duhet ruajtur distancimi, duhe të evitohen festat, duhet të evitohen baret, duhet të evitohen ditëlindjet, pra shumë gjëra që tashmë i dimë. Në këtë mënyrë, ne të gjithë luftojmë sëmundjen, edhe e përballojmë akoma më lehtë, pikërisht edhe fluksin e pacientëve të cilët kanë nevojë për hospitalizim”, u shpreh Strakosha.

Pavioni i tretë i spitalit Covid3 ka një kapacitet 50 shtretër, ndërsa totali i shtretërve në spitalin Covid3 është 150. Në total në 4 spitalet Covid janë 550 shtretër. Sipas strategjisë së vjeshtë-dimrit të hartuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, është parashikuar dhe hapja e disa spitaleve rajonale për trajtimin e pacientëve Covid, nëse do të jetë e nevojshme, duke konsideruar dinamikën e situatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë