Kombetarja

Rritja e Gjimshitit, lojtarit kuqezi i del emri tek Interi dhe Shalke

Në ditën e fundit të merkatos së dimrit po qarkullon edhe emri i Berat Gjimshitit, mbrojtësit të Kombëtares që aktivizohet me Atalantën. Dhe emri i tij rezulton të jetë objektiv i dy klubeve të mëdha, Interit dhe Shalkes, por për momentin bëhet fjalë vetëm për hipoteza dhe jo oferta konkrete. Gjithsesi, rritja e mbrojtësit kuqezi tek Atalanta është e dukshme dhe interesi për të është shtuar.


Tek Atalanta kanë qenë të dyzuar në fakt për këtë futbollist. Fillimisht, drejtuesit e klubit kanë menduar shitjen e Gjimshitit dhe e kanë nxjerrë në merkato si në verë, edhe tani, por së fundi është aktivizuar titullar nga trajneri Gasperini dhe duket se ka bindur plotësisht. Mbrojtësi 25-vjeçar luajti 90 minuta si ndaj Romës në kampionat, ku Atalanta barazoi 3-3, edhe ndaj Juventusit në kupë, ku skuadra e tij fitoi 3-0. Trajneri Gasperini aplikon skemën me tre mbrojtës dhe Gjimshiti pozicionohet në qendër. Pak kohë më parë, emri i lojtarit të Kombëtares ka dalë edhe te Beshiktashi, klubi i madh turk, por edhe në këtë rast gjithçka mbeti në kuadrin e fjalëve të merkatos, pa bisedime konkrete mes dy klubeve.

Berat Gjimshiti (i pari djathtas) feston me ekipin një nga golat ndaj Juventusit

Agjenti i Gjimshitit, Milosh Malenoviç, ka folur për portalin “Tuttomercatoweb” në Itali, duke evidentuar rritjen e lojtarit shqiptar, për të cilin, sipas tij, ia vlen të investojnë edhe klubet e mëdha. "Interi dhe Shalke 04? Nuk e di. Ajo që mund të them është se ai po luan shumë mirë me Atalantën. Ia vlen t’i investosh 10 milionë euro për ta marrë. Jam shumë i lumtur për përmirësimin e madh që ka bërë Gjimshiti gjatë kësaj periudhe. Rritja e tij është një tjetër tregues për punën e mirë që bëhet tek Atalanta”, - tha Malenoviç.

Gjasat janë të pakta që mbrojtësi i qendrës të lëvizë para mbylljes së merkatos së dimrit. Ndoshta në verë do të ketë të reja për Berat Gjimshitin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë