Ekonomi

Rritja e çmimit të naftës, Sejko: Efektet në Shqipëri pritet të jenë të kufizuara

Nga Gazeta ‘Si’-  Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi në Kuvend, gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të institucionit për vitin 2025, se rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2026 përbën një sfidë për ekonominë shqiptare dhe partnerët e saj tregtarë.

Sipas tij, situata e paqëndrueshme në tregje e bën të vështirë parashikimin e plotë të pasojave që mund të sjellë ky zhvillim. Megjithatë, Sejko vlerësoi se ndikimi në ekonominë shqiptare pritet të jetë i kufizuar dhe afatshkurtër.

“Megjithatë, në gjykimin tonë, ndikimi mbi ekonominë shqiptare vlerësohet të jetë i kufizuar dhe afatshkurtër. Ekonomia jonë ka një ekspozim relativisht të moderuar ndaj kësaj goditjeje, si dhe gëzon hapësira të mjaftueshme për një reagim të kujdesshëm dhe proporcional të politikave publike”, tha ai.

Guvernatori siguroi se Banka e Shqipërisë do të vijojë të ndjekë me vëmendje zhvillimet ekonomike dhe ecurinë e inflacionit. “Në këtë kontekst, dëshiroj t’Ju siguroj se Banka e Shqipërisë do të monitorojë me kujdes ecurinë e inflacionit, duke synuar të reagojë në kohën e duhur për të shmangur efektet e raundit të dytë dhe për të garantuar stabilitetin e çmimeve në ekonomi”, u shpreh Sejko.

Ai nënvizoi gjithashtu se përmirësimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë shqiptare gjatë viteve të fundit është reflektuar në forcimin e lekut kundrejt valutave të huaja. Sipas tij, edhe gjatë vitit 2025 ky trend ka vijuar, ndonëse me ritme më të moderuara.

Duke folur për politikën monetare, Sejko tha se qasja e kujdesshme e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka ndihmuar në ruajtjen e një niveli të ulët dhe të qëndrueshëm të inflacionit. Sipas tij, kjo është pasqyruar në tregje financiare të qeta, në kontrollin e rreziqeve, në kosto më të ulëta financimi dhe në rritjen e kreditimit për sektorin privat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë