Politike

Rritja e çmimeve, Teliti: Të ndërhyhet në buxhet, qeveria të përgatisë paketën e dytë anti-krizë  

Anëtari i Këshillit Kombëtar i PD-së, Dorian Teliti ka përcjellë për mediat një panoramë të rritjes së çmimeve në vend.

“Çmimet vazhdojnë të rriten, ata që marrin ushqime me listë shtohen çdo ditë, jetesa po bëhet gjithnjë e më e papërballueshme.

Sipas raportit të fundit të OKB, 1 në 3 shqiptarë jeton në pasiguri ushqimore.

Disa muaj më parë, qeveria ndërmori një paketë 3-mujore ndihmë. Fatkeqësisht ishte më e ulëta në rajon dhe asgjë më shumë se një “lemoshë” . Paketa prill-maj-qershor nuk i dha aspak përgjigje nevojës për të luftuar efektet e krizës.

Që nga 1 korriku paketë mbështetëse nuk ka më. Qeveria i ka braktisur të gjithë: qytetarët në nevojë, pensionistët dhe bizneset”, tha ai.

Për arsyet sa më sipër, Teliti njoftoi se PD do të kërkojë të ndërhyhet menjëherë në buxhetin e vitit 2022.

“Të shkurtohen të gjitha shpenzimet operative jo të domosdoshme.

Të pezullohen të gjitha procedurat e prokurimeve publike që s’kanë lidhje me rritjen e ekonomisë & mirëqenies, por vetëm për fryrjen e xhepave të një grushti njerëzish.

 Të ndërpriten një orë e më parë pagesat buxhetore për të gjitha PPP-të korruptive, për të cilat janë rreth 120 milionë euro të parashikuara për tu paguar gjatë vitit aktual.

Për kujtesë: vetëm gjatë periudhës janar-qershor 2022 janë mbledhur 22.7 miliardë lekë më shumë TVSH krahasuar me janar-qershor 2021. Lekët janë dhe gjenden lehtësisht në buxhet, por duhet vullneti politik i qeverisë për të konkretizuar një orë e më parë një paketë të dytë serioze antikrizë, në vend të “lemoshës” së paketës së parë”, tha Teliti


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë