Futboll

Rritet presioni, Tirana kërkon arbitra të huaj ndaj Kastriotit

Situatat te Tirana kanë ndryshuar javë pas jave. Humbja në derbin me Partizanin ka bërë që qëndrimi në Superiore të komplikohet jo pak tri javë para fundit të kampionatit. Vendimtare do të jetë ndeshja e kësaj të shtune me Kastriotin rival, ku presioni natyrisht bie mbi Tiranën, së cilës nuk do t'i falej as barazimi. Në kampin bardheblu presioni u pa që në derbi, ku u bënë gabime foshnjarake në rastet e golave të kundërshtarit, që në fund mund të rezultojnë fatale.

Vetëm 2 pikë para Kastriotit është Tirana para kësaj sfide, ku fitorja është detyrim dhe kjo bën që presioni të jetë vërtet i madh. Drejtuesit e skuadrës kryeqytetase i druhen shumë gjykimit dhe kanë kërkuar që FSHF-ja të sjellë arbitra të huaj. Në ndeshjen e fazës së tretë me Kastriotin, gjykimi solli shumë polemika, pasi gjithçka u vendos nga një penallti shumë e diskutueshme në favor të krutanëve në stadiumin e Fushë-Krujës. Te Tirana nuk kanë besim të drejtësia e arbitrave shqiptarë, ndaj dhe duan që të shtunën te këtë arbitra të huaj.

Nga një ndeshje mes Tiranës dhe Kastriotit në stadiumin "Selman Stermasi" këtë sezon


Po ashtu, në ndeshjen e së shtunës pritet që trajneri Ardian Mema të bëjë ndonjë ndryshim, duke u besuar futbollistëve me më shumë përvojë, të cilët mund t'i përballojnë më mirë këto lloj ballafaqimesh. Ndoshta ndryshimi i parë mund të jetë në portë, ku Alesio Abibi, i cili gaboi në derbi, pritet të zëvendësohet nga Ilion Lika. Tiranës i mungon kapiteni Erando Karabeci për shkak dëmtimi, një mungesë që rëndon shumë, pasi ai është një nga titullarët me më shumë eksperiencë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë