Shendet

Rritet numri i njerëzve që injektojnë drogra ilegale në botë

Një raport i Kombeve të Bashkuara ngre alarmin pasi më shumë njerëz po injektojnë drogra ilegale sesa vite më parë. Në total, 13.2 milionë njerëz injektuan drogra të tilla në vitin 2021, 18% më shumë se sa ishte vlerësuar më parë, bëri të ditur Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin.

Sipas OKB-së substancat sintetike si fentanili dhe metamfetamina dominojnë tani tregjet e paligjshme të drogës. Në nivel global, përdoruesit e drogës u rritën me 23% dhe çrregullimet e lidhura me drogën u rritën me 45%.

Njerëzit me çrregullime të shëndetit mendor, ata me kushte të ulëta socio-ekonomike dhe të rinjtë janë më të cenueshëm, thuhet në raport. Europa Lindore dhe Amerika Veriore kanë numrin më të lartë të njerëzve që injektojnë drogra të tilla ilegale, në krahasim me Lindjen dhe Azinë Juglindore.

Sipas gjetjeve të raportit, burrat kanë pesë herë më shumë mundësi që të injektojnë droga dhe t’i nxisin partneret e tyre që të bëjnë të njëjtën gjë.

Megjithatë, vetëm një në pesë persona mund të aksesojë trajtim, thotë OKB-ja, ku gratë në veçanti përballen me barriera. Arsyet janë të shumta dhe të ndërthurura: frika nga ligji, stigma sociale, mungesa e kujdesit ndaj fëmijëve dhe frika e humbjes së kujdestarisë së fëmijëve të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë