Kombetarja

Rritet çmimi i kuqezinjve mbi 100 mln euro

Lojtarët e Kombëtares tonë kanë arritur të krijojnë një profil më të lartë nga një vit më parë në treg dhe tani vlera e tyre kap vlerën e 106 milionë eurove. Një nga shifrat që bën rekord sa i përket Shqipërisë, ndërsa deri në fundin e kampionateve do të kemi edhe një tjetër rritje pas paraqitjeve të Kumbullës, Strakoshës dhe Gjimshiti.

“Transfermakt” ka publikuar një listë të re, ku futbollistët gjenden me vlerën e tyre aktuale në tregun evropian. Një rritje të madhe kanë pësuar legjionarët e kombëtares shqiptare, të paktën ata të cilët luajnë në “Seria A”. Paraqitjet fantastike të Thomas Strakoshës, janë reflektuar edhe në çmimin e gardianit shqiptar. Më parë Strakosha vlente 4.5 milionë euro në treg, ndërsa tani për të marrë shërbimet e shqiptarit, duhen paguar 25 milionë euro në llogarinë e klubit italian. Një rritje edhe për Marash Kumbulla në vlerën e tij, teksa shkodrani tashmë vlerësohet për 25 milionë euro. Berat Gjimshiti ka bërë një tjetër sezon të mirë me Atalantën, teksa kulmi për këtë fazë ishte ndeshja me Valencian. Situata ndryshon paksa në Gjermani, pasi Amir Abrashi ka pësuar një rënie të vlerësimit. Mesfushori konsiderohet vetëm për 2 milionë euro, nga 2.5 milionë euro që ishte vlera e tij fillestare. Asnjë ndryshim për Etrit Berishën, teksa gardiani shqiptar vlerësohet për 3 milionë euro.

Shqipëria kushton afërsisht 4 herë më shumë se Suedia, e cila nuk i kalon 27.5 milionë me vlerën në treg. Ndërkohë edhe Greqia është më pak se Shqipëria, pasi vlen 81 milionë euro. Kosova vlen 86 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë