Futboll

Rritet adrenalina, Tirana për të prishur mallkimin 5-vjeçar në derbi

Fatjon Rupi - Derbi është derbi. Është fjalia e shkurtër që dëgjon sa herë që përplasen Tirana dhe Partizani dhe ndonjëra nga skuadrat nuk është në nivelin e tjetrës. Është fjalia që do të thotë se sado diferencë pikësh të kenë këto dy skuadra me emër dhe histori, në fushë do të jetë gjithmonë “luftë” dhe në shkallët e stadiumit spektakël.

Dhe është pikërisht derbi që hap javën e 24-t të Superiores, me Tiranën më të motivuar se kurrë për t’i prishur punë “armikut” të përjetshëm në sezonin kur ai është më pranë se kurrë titullit të munguar prej shumë vitesh. Tirana, edhe pse 21 pikë pas Partizanit në renditje, vjen në këtë ndeshje më lart moralisht se në dy derbet e parë të kampionatit, që i ka humbur, siç ndodh thuajse sistematikisht në 5 vitet e fundit. Një “mallkim” që e mundon shumë ambientin bardheblu. Tirana gëzon një gjendje të mirë sportive dhe psikologjike dhe adrenalina është në maksimum. Ndoshta ka ardhur momenti që bardheblutë të shijojnë më në fund fitoren në derbi dhe të dalin me kokën lart nga “Selman Stërmasi”.

Nga një derbi i këtij sezoni

Presioni është mbi të dyja skuadrat. Partizani është komod në vend të parë, 8 pikë para vendit të dytë, por këtë diferencë duhet ta ruajë, sepse në të kundërt do të ndiente më shumë presionin dhe do të shihte rrugën e titullit t’i bëhet malore. Kurse Tirana ka presionin që vjen nga një 5-vjeçar pa fitore dhe fanella e kuqe mund t’i duket si “gogol”. Sigurisht që është një 90-minutësh që nuk vendos titullin, por një pjesë të mirë të tij e përcakton. Sigurisht që në një ndeshje kanë shumë rëndësi episodet dhe dy trajnerët po mundohen të kurojnë çdo detaj. Lorenc Trashi i Partizanit është mungesa e madhe e derbit. Të gjithë presin që këtë të premte të shohin një ndeshje më të fortë nga ana sportive edhe falë rritjes së Tiranës në javët e fundit.

Partizani feston fitoren në derbin e dytë të këtij sezoni

Kukësi dhe Teuta do të bëjnë tifo për Tiranën, duke shpresuar që këtë javë të shkurtojnë diferencën e pikëve me Partizanin kryesues. Ndoshta edhe opinioni futbolldashës do të ishte për një fitore të Tiranës, për faktin e thjeshtë se do ta bënte kampionatin më të bukur në javët në vazhdim. Gjithsesi, këto janë vetëm dëshira dhe gjithçka e vendos fusha, ku shpresohet që edhe arbitrat të jenë në nivelin e duhur. E rëndësishme, në fund të fundit, është të fitojë futbolli dhe tifozët të kënaqen.

Java e 24-t e Superiores, si gjithmonë, e shtrirë në 3 ditë, vazhdon të shtunën dhe të dielën me Teuta-Skënderbeu, Kukësi-Luftëtari, Kamza-Laçi dhe Flamurtari-Kastrioti. Derbi “eklipson” çdo ndeshje tjetër dhe e gjithë vëmendja do të jetë e përqendruar në stadiumin “Selman Stërmasi”, në sfidën më klasike të futbollit shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë