Moti

Rriten ndjeshëm temperaturat, 13 gradë më të larta se normalja e Prillit

Masat ajrore nga veriu i Afrikës do të vijojnë ndikimin e tyre në rajonin e Ballkanit dhe rrjedhimisht në Shqipëri, duke kushtëzuar mot të kthjellët dhe temperatura të larta mbi 30 gradë C. Parashikohet që pjesa e dytë e ditës të sjellë kalime vranësirash të lehta, ku më të theksuara vranësirat do të paraqiten në zonat malore përgjatë shtrirjes lindore.

Temperaturat e ajrit mbeten konstante gjatë orëve të mëngjesit, por rriten sërish në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 7°C vlera më e ulët në verilindje të vendit deri në 32 gradë Celcius pritet vlera maksimale në qarqet Elbasan dhe Berat.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare si në tokë dhe në det me shpejtësi deri në 30 km/h nga drejtimi Perëndimor dhe Jugperëndimor. Kjo do të sjellë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit dallgëzim të ulët.

Fundjava do të jetë me mot të qëndrueshëm. Të shtunën dhe të dielën do të ketë intervale të gjata me diell dhe kalime të lehta vranësirash në disa zona të vendit ndërsa temperaturat do të pësojnë një rritje të ndjeshme, me maksimume deri në 33 gradë.

Të shtunën do të vijojë rritja e lehtë e temperaturave të ajrit në orët e para të mëngjesit, duke bërë që vlerat minimale të ngjiten në 8 gradë në Ersekë dhe Peshkopi ndërsa maksimalet në rang territori mbeten në vlerën 32 gradë por tashmë do të kemi temperatura të larta edhe për kryeqytetin dhe Shkodrën. Sa i përket kushteve atmosferike, mbetemi në mbizotërimin e intervaleve të gjata me diell, të cilat më të dukshme do të jenë në vijën bregdetare ndërsa pasditja dhe mbrëmja sjellin kalime të lehta vranësirash në qytetet e zonave malore dhe të ulët. Të dielën kemi rritje të ndjeshme të temperaturave të ajrit, duke bërë që të kemi maksimume deri në 33 gradë, të cilat janë deri në 13 gradë nga vlera normale sa i përket muajit prill. Kushtet e motit do të vijojnë dominimi i kthjellimeve, kalimi i vranësirave bëhet gjatë pjesës së dytë të ditës, të fokusuara përgjatë shtrirjes lindore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë