Ekonomi

Rriten ndjeshëm shërbimet në tremujorin e dytë, aktiviteti i hoteleve pothuajse katërfishohet

Aktiviteti i shërbimeve e ka marrë veten në tremujorin e dytë të këtij viti, pas goditjes që pësoi nga pandemia.

Sipas INSTAT përmirësim kanë raportuar sidomos aktiviteti i hoteleve, që ishte më i prekuri nga karantina e vitit të kaluar dhe nga kufizimi i udhëtimeve e mosardhja e turistëve.

Edhe aktiviteti i bareve e restoranteve është zgjeruar me 82%. Në katërfishim ishte dhe aktiviteti i agjencive të udhëtimit, i cili pothuajse u pezullua gjatë karantinës së një viti më parë.

Indeksi i shitjeve neto në volum në aktivitetin Hotele shënoi rritje me rreth 3.6 herë, krahasuar me tremujorin e dytë të 2020, së bashku me indeksin e numrit të të punësuarve që gjithashtu shënoi rritje me 44.6%, krahasuar të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Bar, Restorantet rriten me 82%

Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje me 82.1%, krahasuar me tremujorin e dytë të 2020;

Indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rënie me 10.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit më parë ndërsa indeksi i fondit të pagave shënoi rritje me 5.5%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020.

Agjencitë e udhëtimit njohën rritje të ndjeshme.

Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje me rreth 4.0 herë, krahasuar me tremujorin e dytë 2020 ndërsa indeksi i fondit të pagave shënoi rënie me 4.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit më parë.

Edhe indekset e treguesve në aktivitetin Tregti, e cila përfshin tregti me shumicë, tregti me pakicë dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, në tremujorin e dytë 2021, paraqiten në rritje

Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje 16.3%, krahasuar me tremujorin e dytë 2020 i pasuar nga Indeksi i numrit të të punësuarve i cili gjithashtu shënoi rritje me 1.1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Edhe Indeksi i fondit të pagave shënoi gjithashtu rritje me 19.3%, krahasuar me tremujorin e dytë 2020.

Me rritje paraqiten edhe indekset e treguesve në aktivitetin Transport, Magazinim dhe Postë, i cili përfshin transportin Hekurudhor të mallrave, Detar, Ajror, Magazinimin dhe aktivitetin Postar, në tremujorin e dytë 2021, paraqiten si më poshtë:

Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje 63.2%, krahasuar me tremujorin e dytë 2020;

Indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rritje 2.5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pasuar nga Indeksi i fondit të pagave i cili gjithashtu shënoi rritje me 6.4%, krahasuar me tremujorin e dytë të 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë