Ana e errët

Rrëzimi i avionit në Vermosh mbetet një mister, policia dorëzohet: Pilotët nuk lanë gjurmë

Rrëzimi i avionit të vogël të martën në mëngjes në livadhet e Vermoshit në Kelmend, duket se do të mbetet një mister. Në një qëndrim zyrtar, Policia e Shkodrës, ka përshkruar këtë të mërkurë në mënyrë analitike atë që ndodhi në zonën malore në veri të vendit.

Por policia është dorëzuar përballë faktit se pilotët e zhdukur nuk kanë lënë asnjë gjurmë në avion, duke mos arritur të identifikojnë se si ka ndodhur ngjarja në realitet.

Njoftimi për rrëzimin e një mjeti fluturues, ka mbërritur në Komisariatin e Malësisë së Madhe në orën 12:30.

Një telefonatë se në fshatin Velipojë, Vermosh, Njësia Administrative Kelmend, Bashkia Malësia e Madhe, ishte rrëzuar një avion sportiv, ka vënë në lëvizje uniformat blu.

Me marrjen e njoftimit, në drejtim të adresës së dhënë, u nisën shërbimet e Policisë dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, për të verifikuar informacionin, si dhe u ngrit grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Policia sqaron se nga këqyrja e vendit të ngjarjes, rezulton se në vijë ajrore rreth 800 m nga kufiri me Malin e Zi, është konstatuar i rrëzuar dhe i dëmtuar një avion sportiv dyvendësh.

Avioni është në ngjyrë gri, me gjatësi 6 m, gjerësi 10.5 m (nga skaji i njërit krah te tjetri), gjatësi të krahut 4.7 m dhe gjerësi të kabinës 1.1 m.

Në mjet nuk u gjendën shenja dalluese si: flamur, dokumente të origjinës apo ndonjë dokument tjetër identifikimi.

Megjithatë, gjatë kontrollit të imtësishëm të kryer nga grupi hetimor në brendësi të avionit nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.

Policia thekson se në bashkëpunim dhe me vendet fqinje, Mali i Zi dhe Kosovë, po punohet për përcaktimin e itinerarit të fluturimit që ka ndjekur ky avion, identifikimin e pilotëve dhe të personave të tjerë të përfshirë.

“Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon veprimet hetimore për identifikimin e automjetit që ka marrë dhe larguar pilotët nga vendngjarja, si dhe për përcaktimin e shkaqeve të rënies së avionit”, - thuhet në njoftimin e Policisë së Shkodrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë