Ka ndodhur

Një avion i vogël bën ulje të detyruar në Vermosh, zhduken piloti dhe pasagjeri

Një avioni i vogël misterioz dyshohet se ka bërë një ulje të detyruar në livadhet e Vermoshit në veri të vendit, pasi ka pësuar defekt.

Sipas burimeve paraprake, mësohet se avioni ka tentuar të ngrihet në fluturim dhe ka dështuar, duke u rrëzuar sërish në pistë pas përplasjes me një pishë.

Nuk dihet nëse ka persona të lënduar, por dyshohet se ata janë larguar prej andej me një automjet. Policia, në një njoftim paraprak për mediat, thotë se në orën 12:30 ka marrë një informacion se në në zonën e Vermoshit, në kufirin ndarës ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi (vendi i papërcaktuar) është rrëzuar një avion i vogël.Në vendngjarje janë nisur forcat e policisë së Shkodrës dhe të Malësisë së Madhe.

Sipas dëshmisë që kryeplaku i fshatit Prek Vata ka dhënë për mediat, mësohet se në bord kanë qenë dy persona, të cilët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Vata thotë se sipas dëshmisë së barinjve në atë zonë, dy personat ende të paidentifikuar, janë larguar me një makinë Fuoristradë të bardhë, ku gjurmët e mjetit janë ende të dukshme. Ai thotë barinjtë e kanë parë këtë skenë dhe kanë shkuar për t'i ndihmuar, por nuk janë lejuar.

E gjithë kjo ngjarje ngre dyshime se mund të bëhet fjalë për një trafik të mundëshm droge, nisur edhe nga fakti se kryeplaku thotë se në këtë zonë ka pasur parcela me kanabis si edhe operacione nga policia për shkatërrimin e tyre.

Ky rast, risjell në vëmendje historinë e avionit me drogë në Divjakë, që u rrëzua në bregdet në maj të vitit 2014, ku u zbuluan rreth 300 kg kanabis të cilat po transportoheshin me avionin e vogël privat nga piloti italian Giorgio Riformato.

Por edhe rastin e pilotit italian, Guido Guidi, avioni i vogël i të cilit u rrëzua në Ishëm dhe që dyshohej se do të transportonte drogë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë