Para

Rreziku i pastrimit të parave, Shqipëria përkeqësohet me 28 vende

Indeksi i Bazelit, publikuar së fundmi tregon se Shqipëria ka rritur rrezikun e pastrimit të parave nga viti i shkuar me 28 vende.

Për vitin 2021, Shqipëria renditet e 72-ta mes 110 vendeve me 5.72 pikë, nga e 44-ta që ishte vitin e shkuar 5.69.

Për Shqipërinë thuhet se pikëzimi më negativ që nxjerr rezultatet finale është regjistruar tek transparenca financiare. Të dytët më negativë cilësohen korrupsioni dhe ryshfeti me vlerësim 6.03 pikë. Kuadri ligjor që lidhet me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit vlerësohet me 5.84 pikë dhe më pas vjen rreziku politik dhe fiskal me 5.41. Transparenca Publike është e vetmja që ka shënuar një renditje më të mirë në pikë me 3.25.

Indeksi i Bazelit fokusohet në faktin se Shqipëria bën pjesë në vendet që janë në listën gri të FAFT (Task Forcës për Veprim Financiar). Nga renditja që bëhet vetëm për Europën dhe Azinë, Shqipëria renditet e treta nga fundi, duke e bërë ndër vendet më të rrezikshme për pastrimin e parave.

Nga vendet e rajonit,  Mali i Zi ka 4.57 pikë, Kosova me 4.56, Maqedonia e Veriut 5.23, Serbia 5.27 Sllovenia 3.75.

Rrezikun më të ulët në të gjithë botën, e mban Estonia, Andora dhe Finlanda. Rrezikun më të lartë e ka Koreja e Veriut, Eritrea dhe Sudani. Më pas Irani, Somalia, Haiti, Afganistani, Kongo, Mauritania, Myanmar apo Mozambiku.

Indeksi i Bazelit dakordësohet me përshkrimet e mëhershme nga Moneyval për Shqipërinë, ku thuhej se Shqipëria edhe pse kishte bërë disa rregullime nuk kishte arritur të përmbushte plotësisht detyrat e ngarkuara.

Indeksi i Kundër Pastrimit të Parave i Bazelit është një renditje e pavarur dhe mjet vlerësimi mbi rrezikun e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit. I prodhuar nga Instituti i Bazelit për Qeverisje që nga viti 2012 mundëson vlerësime mbi rrezikun e pastrimit të parave bazuar nga të dhënat që merren nga 17 burime publike të tilla si Task Forca për Veprim Financiar, Transparency International, Banka Botërore dhe Forumi Ekonomik Botëror.

Në shkurt të vitit 2020, Shqipëria u fut sërish në listën gri të pastrimit të parave, nga e cila kishte dalë në vitin 2015. Vlerësim u dha në atë kohë nga Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL, që është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës që ka detyrën të vlerësojë zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë