Sociale

Rreth 600 thirrje mbi mesataren në ditë në Urgjencën Kombëtare; Shtohen rastet e infektimeve

Qendra Kombëtare e Urgjencës ka deklaruar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 2000 thirrje për Covid-19 në Njësinë e Koordinimit. Në një status në Facebook, Qendra Kombëtare ka shkruar se nga data 1 janar dhe deri më sot janë regjistruar rreth 41.500 thirrje. Duke bërë një përllogaritje, rezulton mesatarisht rreth 1400 thirrje në ditë, ndërsa aktualisht ka rreth 600 telefonata mbi mesataren e kësaj periudhe (1-25 janar)

Urgjenca Kombëtare gjithashtu shpjegon se përgjatë gjithë muajit janë kryer edhe 9200 misione prej të cilave 1900 kanë qenë për Covid-19.  Edhe më herët, Shefi i Urgjencës, Skënder Brataj ka bërë me dije se numri i telefonatave që kërkojnë ndihmë është i lartë. Sipas tij, nuk është ulur asnjëherë nën 1000 thirrje siç ka qenë para pandemisë.

Brataj ka shtuar gjithashtu se rritja e të infektuarve ka vijuar pas festave dhe kjo ishte e pritshme, për shkak të grumbullimeve të njerëzve dhe periudhës së pushimeve të gjata dhe grumbullimeve të familjarëve.

Ndërkaq gjatë ditëve të fundit janë vënë re  që kurba e infektimeve ka pësuar një rritje përgjatë ditëve të fundit, gjithashtu është theksuar më herët nga Komiteti i Ekspertëve që shifrat në rritje janë përqendruar më së shumti tek moshat e reja.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë