Ka ndodhur

Rreth 1.400 ha tokë e përmbytur në Shkodër. Probleme nga bora në Dibër dhe Korçë

Gazeta Si - Sipërfaqja totale e përmbytur në Bashkinë Shkodër vijon të jetë 1400 hektarë, edhe pse ka pasur një tërheqje të ujit. Ndërsa në Dibër dhe Korçë, ka pasur bllokime të akseve dhe disa fshatrave nga dëbora.

Në Shkodër, vetëm në Njësinë Administrative Ana e Malit janë përmbytur 1300 tokë. Në rrugën e Obotit ka prezencë uji në nivelin 75 centimetra.

Aty po operojnë dy mjete të kalueshmërisë së lartë së bashku me 7 forca të ushtrisë.

Në 15 banesa të fshatit Obot, ka prezencë uji në oborre. Aktualisht ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit.

Në njësinë Administrative Dajç janë përmbytur 100 hektarë tokë bujqësore. Në vendin e quajtur Urrelat e Shirqit ka prezencë uji në rrugë në nivelin 10 centimetra.

Situata në territorin e Qarkut të Lezhë duket se është e normalizuar, pasi në zonë ka pasur reshje shiu me intensitet të ulët.

Sa i përket sipërfaqes së përmbytur në të gjithë Qarkun e Lezhës raportohet se afro 460 hektarë tokë bujqësore është e përmbytur. Akse rrugore të bllokuara nuk raportohen.

Probleme të furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm nuk raportohen. Autoritetet thonë se nuk ka as rrugë të bllokuara, kjo falë edhe tërheqjes së ujit pas përmirësimit të kushteve të motit.

Emergjencat Civile, në përditësimin e situatës nga moti i keq, raportojnë se ditët në vazhdim do të jenë me kthjellime dhe alternime vranësirash në të gjithë vendin.

Në një deklaratë për mediat, Brisilda Sina, përgjegjësja e Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, tha se ditën e sotme do të ketë reshje bore me intensitet të ulet në qarkun e Korçës, ditët në vijim do të ketë edhe në qarqet Kukës dhe Dibër.

Si pasojë e temperaturave në vlera negative do të kemi ngrica përgjatë akseve rrugore në relievet malore të vendit. Nga raportimet në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile situata ditën e sotme paraqitet e qetë.

Furnizimi me energji elektrike vijon pa ndërprerje në pjesën më të madhe të vendit, me përjashtim të shkëputjeve herë pas here në disa zona rurale të qarqeve, Tiranë, Elbasan, Berat, Gjirokastër, Korçë dhe Shkodër.

Në qarkun e Vlorës në rrugën Vajzë - Ploç, e cila ka të dëmtuar bazamentin e saj po punohet nga firma kontraktore për riparimin e saj. Në qarkun e Korçës është bërë e mundur hapja e segmentit rrugor Shtyllë - Panarit. Në aksin Bogë - Theth është funksional segmenti Bogë - Qafë Thorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë