Futboll

Rregullat e reja, FSHF mbledh Superioren për kriteret e licencimit

Gazeta Si - Përfaqësuesit e klubeve të Superiores zhvilluan sot një takim në FSHF, në departamentin Ligjor dhe atë të Licencimit. Tema e takimit kishte të bënte me kriteret e licencimit për edicionin 2022-2023.

Klubeve të elitës u janë bërë të ditura të gjitha ndryshimet në rregulloren e licencimit për këtë sezon. FSHF është e gatshme të asistojë klubet në këtë drejtim, ku shpesh ka pasur probleme në të kaluarën.

Nga takimi i sotëm në FSHF. Gazeta Si, 2 gusht 2022

Drejtuesi i departamentit Licencimit, Eduard Gjini, ka treguar me detaje për fshf.org ndryshimet në rregulloren e licencimit: “Zhvilluam një takim me klubet e ‘Abissnet Superiore’ për të treguar funksionimin e rregullores së re të licencimit. Rregullorja e re e vitit 2022 ka pësuar ndryshime.

Në kriterin sportiv, që një skuadër të licencohet për të marrë pjesë në Kupat e Europës, duhet të ketë patjetër një skuadër femrash të atashuar në klubin përkatës. Janë shtuar kërkesa të tjera në rangun e klubeve që do të kenë më shumë se 4 skuadra në sistemin zinxhir. Sezonin që vjen klubet do kenë 5 skuadra.

Edhe në kriterin e administratës dhe personelit janë shtuar dy kërkesa. Çdo klub duhet të ketë një ‘match manager’, që do të drejtojë ndeshjen, si dhe një oficer për grupet vulnerabël.

Në pjesën ligjore, një klub që do të marrë pjesë në aktivitetet e FSHF-së duhet të ketë një nga tre format ligjore të shtetit shqiptar, shoqatë, Shoqëri Aksionere ose SHPK.

Karakteri financiar është më i rëndësishmi për pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Do përcaktohen disa afate të brendshme, që klubi t’i përmirësojë situatat. UEFA ka përcaktuar një afat që do të jetë 28 shkurti”, - tha Gjini.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë