Futboll

Rrëfimi i rrallë i Brojës: Babai më tregoi rrugën, dua Botërorin me Shqipërinë!

Gazeta Si – Në një intervistë për ‘The Players Tribunë’, Armando Broja, sulmuesi i Kombëtares kuqezi dhe Çelsit ka rrëfyer si e ka nisur me fuytbollin. Broja ka zbuluar pse zgjodhi të luajë për Shqipërinë dhe çfarë synon të arrijë në të ardhmen.

Broja tregon për ndikimin e fortë që ka pasur babai i tij: ‘Armando, nuk do ta lësh futbollin derisa ta çosh Shqipërinë në një Botëror! Kështu më ka thënë babai im. Çfarë do të thotë për mua të përfaqësoj Shqipërinë? Gjithçka fillon me babanë tim, ai ka qenë gjithmonë i etur për sukses dhe do që fëmijët e tij të kenë sukses.

Broja feston një gol me Kombëtaren. Gazeta Si, 29 shtator 2022

Tani bëjmë shaka, duke thënë se suksesi im është 50-50. Gjysma e imja, gjysma e tij dhe e mamasë. Kur babai më shihte të luaja FIFA ose diçka tjetër, më thoshte: ‘Në vend që të kalosh një orë në PlayStation, mund të stërvitesh’.

Kur isha i vogël dhe po filloja futbollin, ai kthehej vonë nga puna i rraskapitur. Mund të ishte ora 10 ose 11 e natës dhe ai mund të kishte punuar 15 orë. Gjithmonë pyeste: ‘Armando, a bëre stërvitje sot?’ Kur gënjeja, i thosha: ‘Mmm, po’. E kuptonte të vërtetën dhe shkonim në park, më bënte të vrapoja po pushim 20 herë rreth fushës.

I thosha: Pse? Ai më përgjigjej: Jo, nuk të dëgjoj, vazhdo ose do bësh 30 xhiro. Kur pata një rritje të shpejtë në moshën 16-vjeçare, kishte frikë mos humbisja shpejtësinë. Shpejtësia ka qenë gjithmonë një nga pikat e mia të forta. Ai më nxirrte jashtë për të bërë sprinte në kodra për një orë në ditë. Në fund më thoshte: Një tjetër xhiro, mbrojtësit do të kapin”, - ka rrëfyer Broja.

Pastaj sulmuesi tregon lëvizjen e familjes nga Shqipëria në Angli: “Prindërit u larguan nga Shqipëria, kur mamaja ishte shtatzënë me motrën time më të madhe. Nuk kishin të ardhme në fshatin e tyre, ishin të vendosur për të siguruar një jetë më të mirë për fëmijët e tyre.

Ishte e vështirë për ta në Angli, nuk kishin para dhe nuk flisnin asnjë fjalë anglisht. Kur linda unë, jetonim të gjithë në një dhomë, në pjesën e pasme të një hoteli. Kemi luftuar për disa vite. Prindërit më kanë treguar shumë dhe kam parë foto të atyre kohërave.

Babai bëri gjithçka për të na siguruar të ardhura, duke bërë punë ndërtimi. Ishte punëtor i zellshëm dhe gjithmonë kishte njerëz të gatshëm për t’i dhënë një punë. Kohët e fundit u bashkua me një mik dhe ata mblodhën mjaft para, krijuan një kompani për pishina. Ai na tregoi rrugën për ta bërë gjithçka sa më mirë, na tregoi rrugën e suksesit”.

Broja tregon dhe se si nisi rruga e futbollit: “Babai e pa që më pëlqente sporti, por isha pak i egër si fëmijë. Ai më stërviti dhe u sigurua që isha në rrugën e duhur. Përparova në akademitë në Totenham dhe më pas te Çelsi. Mendoj se e kishte në kokë që djali i tij të bëhej një ikonë shqiptare e futbollit. Si Ronaldo shqiptar.

Broja me fanellen e Çelsit. Gazeta Si, 29 shtator 2022

Pëlqeja Kristiano Ronaldon, si shumë fëmijë, por babai im ishte i fiksuar pas Ronaldos tjetër, brazilianit. Isha shumë i vogël për ta parë të luante R9 dhe kur babai fliste, nuk e dija se çfarë donte të thoshte.

Më tregoi klipet në YouTube, uleshim dhe shikonim video pas video të Ronaldos me Real Madridin dhe Brazilin. Një tjetër emër, me të cilin u njoha duke u rritur ishte Lorik Cana, i vetmi shqiptar që ka luajtur në Premier League para meje.

Ka fituar trofe me klube të mëdha në Francë dhe Itali, si dhe pati një sezon në Premier League me Sunderland. Emri i tij është legjendë në Shqipëri. Kështu është atje, nëse luan në kampionate të mëdha, emri juaj mbetet në histori. E shijova kur shënova golin tim të parë në Premier Ligë sezonin e kaluar.

Nuk dija as si të festoja, ishte fillimi. E dija që edhe prindërit e mi po çmendeshin në stadium. Në internet lexova që isha shqiptari i parë që shënoja në Premier Ligë.

Në një moment Anglia U-21 më donte, por sinqerisht, nuk më duhej të mendoja shumë gjatë. Jam rritur në Angli, por jam krenar që jam shqiptar. Kudo që jetonim si familje, ishte gjithmonë një shtëpi shqiptare, e zhurmshme.

Prindërit e mi u siguruan që kultura të ishte rrënjosur thellë tek unë. Shkuam shumë në Shqipëri kur isha duke u rritur, në mënyrë që të mësoja gjuhën dhe të takoja njerëzit. Të gjithë ata që takua në Kamëz, ishin kushërinjtë e mi. Sinqerisht, pak njerëz e dinë se çfarë vendi i bukur është Shqipëria, me plazhe të mrekullueshme, fshatra të bukur dhe njerëz të ngrohtë.

Sa herë shkoj në Kombëtare, ndjej krenari dhe emocion të jashtëzakonshëm. Më pëlqen që në ekipin shqiptar mund të marrësh përgjegjësi si një lojtar i ri. Mund të rritesh dhe të bëhesh yll. Dhe nëse e bën mirë, mund të bëheni një ikonë.

Kam përjetuar “Arenën Kombëtare” në Tiranë, duke kënduar emrin tim dhe nuk ka ndjenjë më të mirë. Kur luajtëm me Poloninë vitin e kaluar, nuk kisha përjetuar kurrë një atmosferë të tillë. Ishte çmenduri.

Po bëja nxemjen dhe dëgjoja gjithë stadiumin duke brohoritur emrin tim. Mamaja më tha më pas se ajo shpërtheu në lot. Atë natë ndjeva dashurinë dhe respektin e vendit dhe i detyrohem çdo shqiptari të jap më të mirën time.

Kam objektiva të mëdha, dua të jem Herri Kejn, apo Ronaldo i Shqipërisë. Dua ta çoj vendin tim në një Kupë Bote. Kur ta kem mbyllur karrierën, dua që emri im të jetojë për Shqipërinë, për babanë tim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë