Kombetarja

Rrëfimi i Marash Kumbullës: 19 vjeç në Serinë A, një ëndërr

Plot 11 vjet me Veronën dhe në gusht debutimi me fanellën e saj në Serinë A. Marash Kumbulla, mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, ka pasur fatin të luajë në futbollin italian në një moshë shumë të re si titullar. Në këto 5 javë është përballur me ekipe të mëdha si Milan dhe Juventus dhe ia ka dalë me sukses. Ndaj Juventusit u ndëshkua me karton të kuq në shtesë dhe mungoi ndaj Udinezes. Futbollisti me origjinë shkodrane ka kaluar me sukses një provë shumë të vështirë dhe në një të ardhme të afërt patjetër do të jetë titullar edhe me kuqezinjtë.

Kumbulla ka folur për emocionet e debutimit në Serinë A për faqen zyrtare të klubit të Veronës, në rubrikën “A tu per tu”. 19-vjeçari tregon se arriti deri këtu: “Më duket diçka e çuditshme të shoh veten me fanellën e Veronës në Serinë A. Diçka që e ëndërroja. Shpresoj të filloj të mësohem me këtë gjë tani. Debutimi në Serinë A ishte një emocion i veçantë. Të gjithë ata që luajnë futboll ëndërrojnë këtë moment, të luajnë në Serinë A, ndërsa unë ia dola në moshën 19-vjeçare dhe është krenari për mua. Është diçka shumë e bukur, kujtoj gjithçka nga ndeshja e debutimit me Bolonjën. Ishte një paraqitje shumë e mirë e skuadrës, edhe pse ishim me 10 vetë. Një kujtim që do të më shoqërojë gjithë jetën.

Kumbulla në dyluftim me Destron në ndeshjen debutuese ndaj Bolonjës. Gazeta Si, 27 shtator 2019

Isha 8 vjeç kur nisa aventurën te Verona. Nuk e kisha idenë se çfarë isha duke bërë në atë moshë, kur doja thjesht të argëtohesha. Mbaj mend gjithçka, provat që kam bërë dhe tani që kthehem prapa në kohë më duket e pabesueshme. Të mendosh si ishte dhe si është tani, është diçka e mrekullueshme. Është shumë e vështirë të luash në Serinë A, sidomos me ekipin ku lindur nga ana futbollistike, por është edhe shumë bukur. Është një ëndërr që e duan të gjithë. I mbaj mend të gjithë trajnerët që më kanë stërvitur dhe i kam në zemër. Isha mesfushor në fillim, pastaj më vendosën në qendër të mbrojtjes dhe tani po më pëlqen ky rol. Shpresoja të luaja në Serinë A, por këtë vit, që kur ishim të grumbulluar, besova shumë se do të luaja. E ndjeja brenda meje. Një nxitje shumë të madhe për mua është trajneri Juriç, i cili është shumë kërkues dhe pak i ashpër atëherë kur duhet dhe kjo më bën mirë. Ai të aktivizon, nëse e kupton që ti mund të japësh për skuadrën.

Stadiumi “Bentegodi” më jep një emocion të rrallë, është diçka e papërshkrueshme kur sheh aq shumë njerëz që të duartrokasin. E jeton atë moment dhe e shijon. Emocionet bënë të vetën në ndeshjen e parë, rrëshqita në topin e parë, por pastaj, me ndihmën e shokëve e kalova. Lojtari më i vështirë për t’u markuar për mua është Dibala. Ai ka karakteristika që për ne lojtarët e gjatë është pak e vështirë ta markojmë, lëviz shumë shpejt në zona të ngushta. Familja dhe klubi më kanë mbështetur shumë në rrugën time. Prindërit më ndjekin kudo dhe janë një shtysë shumë e fortë për mua. Përveç futbollit, më pëlqen shumë të shoh filma dhe seriale televizive”, - ka rrëfyer Kumbulla.

Marash Kumbulla gjatë një grumbullimi me Kombëtaren. Gazeta Si, 27 shtator 2019

Edhe pse në moshë të re, trajneri Reja e përfshiu në listën e Kombëtares për ndeshjet e fundit, por ende nuk ia ka dhënë shansin të luajë. Ndaj Francës luajti treshja Ismajli-Gjimshiti-Mavarj, kurse ndaj Islandës vendin e kapitenit e zuri Dermaku. Kumbulla pret shansin e tij, që ashtu si me klubin e tij, me siguri do t’i vijë shumë shpejt edhe me fanellën kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë