Futboll

Rrëfehet Ronaldo: Luaj deri 41 vjeç, sot vlej 3-4 herë më shumë!

Në një intervistë të fundit për televizionin portugez “TVI”, Kristiano Ronaldo ka folur për shumë tema të futbollit të sotëm dhe jo vetëm. Ai ka komentuar mes të tjerash edhe vlerën e lojtarëve në treg, si dhe çështjen e akuzave për përdhunim.

Një rrëfim ndryshe i Kristiano Ronaldos, me zemër të hapur. “Viti 2018 ishte më i vështiri në jetën time”, ka thënë Ronaldo. Vitin e kaluar ai u përball me çështjen e evazionit fiskal në Spanjë dhe mbi të gjitha me akuzat për përdhunim në çështjen “Majorga”. “Ndihesh shumë keq, kur vënë në diskutim nderin tënd. Por, falë Zotit, u vërtetua edhe një herë se jam i pafajshëm. Familja dhe ata që më duan, e dinin të gjithë këtë gjë, por gjithsesi ishte shumë e vështirë kjo periudhë për mua”, - ka shtuar portugezi.

Kristiano Ronaldo. Gazeta Si, 21 gusht 2019

Pastaj ylli i Juventusit ka folur për futbollin dhe skuadrën ku bën pjesë: “Nuk kam nevojë për futbollin që të jetoj mirë, jam shumë i qetë nga ana financiare. Kam nevojë për projekte serioze dhe ambiciozë dhe projekti i Juventusit është i tillë. Më ka pëlqyer gjithmonë kjo skuadër, është më e mira në Itali dhe një ndër më të mirat në botë. Pasi kam fituar në Angli dhe në Spanjë, po fitoj edhe në Itali. Të gjithë duan të fitojnë Championsin, edhe ne, por nuk duhet të na bëhet një obsesion. Le t’i lëmë gjërat të ecin vetë, hap pas hapi. Pastaj duhet të kuptojmë se paratë nuk bëjnë skuadra të mëdha. Shikoni prej sa vitesh Barcelona, Bajerni, apo PSG-ja nuk po e fitojnë Championsin”.

Kristiano Ronaldo, pavarësisht se është 34 vjeç, ndihet ende i fortë për të luajtur në nivel të lartë. “Ndoshta mund ta mbyll karrierën sezonin e ardhshëm, por mund të luaj deri në 41 vjeç. Nuk e di, ajo që di është se gjithmonë duhet të jetoj dhe shijoj momentin. E tashmja është shumë e bukur dhe dua ta shijoj sa më shumë. Besoj se asnjë futbollist nuk ka vendosur kaq shumë rekorde sa unë. Të lija Realin për Juventusin nuk ishte aspak e lehtë. Kam jetuar atje për 9 vjet, 60% të karrierës, por dëshiroja një sfidë ndryshe dhe jam i lumtur që jam te Juventusi”, - thotë më tej Ronaldo.

Kristiano Ronaldo me fanellën e Juventusit. Gazeta Si, 21 gusht 2019

Portugezi ka përgënjeshtruar gjatë intervistës së fundit edhe legjendën e kalimit nga Sportingu te Mançester Junatid, sipas së cilës, anglezët e blenë pas një miqësoreje. Ronaldo hedh poshtë gjithçka. “Në fakt, ka pasur kontakte me shumë skuadra në atë kohë, me Valencian, për shembull. Takova trajnerin Arsen Venger dhe isha duke kaluar tek Arsenali, por ka pasur biseda edhe me Barcelonën, Realin dhe Interin. Pas asaj ndeshjeje, Mançester Junajtid, që ishte interesuar prej kohësh, u bind dhe i intensifikoi bisedimet”.

Ronaldo dhe Mesi. Gazeta Si, 21 gusht 2019

Për rivalitetin me Mesin, sulmuesi është shprehur: “Jo rastësisht unë dhe Mesi jemi të vetmit që e kemi fituar nga 5 herë “Topin e Artë”. Jam ende i motivuar për të fituar si në nivel skuadre, ashtu edhe në personal, sepse në të kundërt do të isha tërhequr. Nuk më mungon asgjë dhe pasioni për futbollin e dëshira për të fituar më bëjnë ky që jam”. Në fund edhe një reflektim për merkaton: "Sot kushtojnë shumë të gjithë lojtarët. Fillohet nga 100 milionë dhe shoh që ka mbrojtës që shiten nga 75 milionë. Me këtë logjikë, ndoshta vlej 3-4 herë më shumë!”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë