Kombetarja

Rrëfehet Keidi Bare: Muniz më ndryshoi jetën, gabova me arbitrin

Keidi Bare ka folur për shtypin spanjoll në lidhje me aventurën e tij te Malaga, por edhe për periudhën kur ishte pjesë e Atletiko Madrid. Në një intervistë për “es.besoçer.com”, mesfushori fierak ka treguar disa nga momentet më të veçanta për të në Spanjë.

“Erdha te Malaga për të ndihmuar skuadrën dhe po luaj titullar. Stafi teknik dhe shokët më kanë ndihmuar shumë që të ambientohem sa më shpejt, prandaj ndihem shumë mirë”, - thotë fillimisht Bare, i cili ka mbajtur shiritin e kapitenit të Shqipërisë U-21 dhe tani është në planet e Panuçit në Kombëtaren A. Më tej, mesfushori rrëfen momentin e mbërritjes në Spanjë: “Isha 14 vjeç dhe bëra një test 4-ditor tek Atletiko Madrid. Pastaj mora pjesë në një turne njëjavor, ku u shpalla mesfushori më i mirë. Pasi u pajisa me dokumentacionin përkatës në Shqipëri, u ktheva tek Aletiko dhe aty kalova 5 vjet. Një eksperiencë mjaft e bukur. U rrita tek Atletiko dhe i falënderoj të gjithë. Kam debutuar në kampionat me këtë ekip në ndeshjen ndaj Las Palmasit. Luanin edhe Gabi dhe Fernando Torres. E kujtoj mjaft mirë atë ndeshje”.

Keidi bare (djathtas), ku luante me Atletiko Madrid

Bare ka qenë protagonist negativ kohë më parë, kur u pezullua për 8 ndeshje për shkak të një kartoni të kuq dhe sherrit që bëri me arbitrin e ndeshjes në Spanjë: “Ishin 6 muajt më të tmerrshëm të jetës sime. Jam penduar, sepse nuk jam një person agresiv. Nuk duhet ta bëja kurrë atë gabim. Ishte keq për mua, për familjen time dhe ata që shohin futboll. Para pak muajsh u takova me atë arbitër dhe i kërkova falje për atë që kishte ndodhur”.

Fieraku ka theksuar se çdo futbollist e ka ëndërr të luajë në Spanjë dhe mesazhi i tij është se me punë mund të arrihet gjithçka. Në fund Bare ka dhënë një vlerësim për trajnerët, me të cilët ka punuar: “Kam pasur trajnerë shumë të mirë, por dua të veçoj Muniz. Ai është personi që më ka ndryshuar jetën, sepse ka qenë si një shok dhe baba për mua. Edhe Oskar Fernandez është një trajner shumë i mirë. Atletiko Madrid është një shkollë shumë e mirë”.

Bare ka përfunduar edhe në kronikat rozë të shtypit spanjoll, për shkak të lidhjes me vajzën e trajnerit të dytë të Atletiko Madrid, Grman Burgos, por në këtë intervistë futbollisti shqiptar nuk është ngacmuar për jetën e tij private.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë