Kombetarja

Rrëfehet Armando Sadiku: Europiani më ndryshoi jetën

Me 10 gola të shënuar në këtë kampionat për Malagën, Armando Sadiku ka rigjetur formën më të mirë. Sulmuesi i Kombëtares është një nga titullarët më të rëndësishëm të skuadrës spanjolle, që në fakt duhet të sistemojë problemet financiare sa më parë. Dhe për këtë mund t’i shërbejë shitja e futbollistit tjetër kuqezi, mesfushorit Keidi Bare. Në një intervistë për “Sportsfinding.com”, Sadiku ka folur për momentin që po kalon te Malaga, Baren, Manajn dhe Europianin e Francës.

Kur shënon Sadiku, shënon edhe Malaga?
Shpresoj të vazhdoj kështu edhe në 15 ndeshjet e mbetura, sepse ekipi ka nevojë për pikë. Me cilësinë që ka Malaga, nuk duhet të jetë në këtë pozicion. Do të japim gjithçka në ndeshjet e fundit.
A e kishit menduar se do të kishit shënuar 10 gola këtë kampionat?
Kam shumë besim në vetvete. Qëllimi i parë ishte të luaja sa më shumë, më duheshin minuta pas dëmtimit rë rëndë që kalova. Shpresoja të luaja çdo ndeshje, sigurisht edhe të shënoja. 10 golat e shënuar janë rezultat i punës që kam bërë unë dhe skuadra që më ka ndihmuar. Shpresoj të shënoj sa më shumë.

Armando Sadiku. Gazeta Si, 13 shkurt 2020

Sa gola më shumë?
Uroj të shënoj çdo ndeshje, por e rëndësishme është të fitojë skuadra. Uroj me zemër të shkojmë në “play-off”. Dëshira ime është të lë gjurmë te Malaga dhe do të provoj me të gjitha mundësitë deri në fund.
Ju keni një kontratë me Levanten?
Kam një kontratë deri në vitin 2021 dhe te Malaga kam ardhur vetëm për një vit, nuk është përfshirë edhe mundësia e blerjes. Nuk mund ta përfshinim këtë opsion, duke ditur problemet që ka klubi.
Nëse Malaga i zgjidh problemet që ka aktualisht, do të qëndroni?
Do të më pëlqente, sepse jemi mirë këtu unë dhe familja. Të shohim si do të shkojnë gjërat në fund.
Keni pasur oferta nga Izraeli?
Agjenti im ishte në bisedime me një klub izraelit, por kisha një ofertë të mirë edhe nga një vend arab. Nuk doja të largohesha nga Spanja, dua ta përfundoj sezonin këtu. Dua të luaj më shumë 30 ndeshje dhe të shënoj sa më shumë gola. Jam i lumtur te Malaga.
Jeni një sulmues tipik zone?
Jam një qendërsulmues dhe më pëlqen të gjendem në zonën kundërshtare, por mund të godas me të të dyja këmbët edhe nga jashtë zonës. Gjithsesi, loja e një sulmuesi varet shumë nga loja e ekipit.

Armando Sadiku feston një gol me fanellën e Malagës. Gazeta Si, 13 shkurt 2020

Ju ndjekin ju dhe Baren në Shqipëria?
Po, na ndjekin. Kur unë shënoj dhe kur Bare luan mirë, gjithçka pasqyrohet në shtypin sportiv. Sigurisht, ne jemi të lumtur që në vendin tonë na ndjekin
Është edhe Manaj te Barcelona B?
Me Manajn kam luajtur pak në Kombëtare. Ai është një djalë me të ardhme dhe besoj se do të bëjë shumë mirë.
Sa e njihni Baren?
Bare po luan shumë mirë te Malaga dhe është pjesë e Kombëtares së Shqipërisë. Ai është i ri, por shumë i qetë, e ka karrierën përpara. Është i rëndësishëm për lojën e Malagës.
Si e kujtoni Europianin e Francës?
Janë kujtime që nuk i harroj për gjithë jetën. Europiani ndryshoi jetën time, sepse para se të shkonim në Francë isha sulmuesi i 4-t i Kombëtares. Nuk e di si hyra në listë, pasi kisha ndërruar skuadër 6 muaj para Europianit, kisha kaluar te Vaduzi, ku luajta shumë mirë. Shënova në miqësoret e fundit me Kombëtaren para Europianit dhe fitova një vend titullari. Shënova golin e fitores me Rumaninë dhe karriera ime ndryshoi për mirë. Vazhdova të shënoja për Kombëtaren dhe kjo ndikoi te kalimi te Levante.

Aramando Sadiku feston golin ndaj Rumanisë në Euro 2016. Gazeta Si, 13 shkurt 2020

Ramazani është në maj?
Përpiqem ta mbaj Ramazanin sa të mundem. Me fuqinë e Zotit mund t'i bëj të gjitha.
Filmi i preferuar?
Gladiatori. Madje kam një tatuazh gladiatori në shpinë.
Të dielën ndesheni me Kadizin kryesues?
Në shumë ndeshje kemi dominuar. Kadizi është i pari, por Malaga ka treguar se mund të fitojë ndaj çdo kundërshtari.
A do të grumbulloheni me Kombëtaren në mars?
Nëse më thërrasin, do të shkoj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë