Futboll

Rrahmani flet si lider: E ndalim Milanin, provojmë deri në fund për titullin

Gazeta Si - "Me Milanin do të përpiqemi të mos pësojmë gol. Ta mbajmë rrjetën të paprekur është shumë e rëndësishme për ne mbrojtësit dhe portierin. Falënderoj tifozët që na mbështesin. E kanë bërë edhe në momente shumë të vështira, ata janë tifozë të vërtetë”, - thekson Amir Rrahmani, mbrojtësi kosovar i Napolit.

Për “Radio Kiss Kiss Napoli”, ish-futbollisti i Partizanit ka komentuar ndeshjen e madhe të së dielës në “Maradona”. Rrahmani po zhvillon sezonin e tij më të mirë, duke u bërë lider në mbrojtjen e Napolit. "Fjalën titull nuk e përmendim shpesh, - thotë me tej mbrojtësi. – Jemi të ndërgjegjshëm se është ende shpejt. Insinje? Lojtar shumë i rëndësishëm, ka shënuar me penallti, ka dhënë asiste, shpresojmë të shënojë dhe me aksion”.

Amir Rrahmani feston një gol me fanellën e Napolit. Gazeta Si, 4 mars 2022

Kapiteni i Kosovës bën apel për shumë kujdes në çdo ndeshje: "Tani ndeshjet janë të gjitha të rëndësishme. Janë 4-5 skuadra për titullin, edhe Atalanta dhe Juventusi mund të futen këtu, sepse gjithçka ndodh. Ne duam të kujtohemi si heronj, siç thotë Spaleti. Do të provojmë deri në fund.

Të dielën do të jetë një publik i jashtëzakonshëm, ne po përgatitemi të përqendruar. Jemi një skuadër, ku të gjithë mund të bëhen vendimtarë me një gol. Edhe kur kisha pak hapësirë, besoja tek aftësitë e mia. Uroj të vazhdoj kështu dhe të bëj më mirë. Të luash me Kulibali është më e lehtë, është lojtar i madh”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë