Futboll

Ronaldo i kërkoi Rangnik të ulte Meguajër në stol e të ndryshonte modul

Gazeta Si - Kristiano Ronaldo duket se është i destinuar të qëndrojë te Junajtid. Trajneri Ten Hag në konferencë shtypi tha se beson ende te portugezi, që sipas ‘Mirror’, nuk ka vlerësimin e dhomës së zhveshjes.

Nga Anglia zbulohen të tjera prapaksena në lidhje me sjelljen e Ronaldos. Sezonin e kaluar ai ka kërkuar pa sukses trajnerit Rangnik të ulë në stol Meguajërin dhe të ndryshojë modul loje.

Meguajër, aktualisht në stol te Junajtid. Gazeta Si, 31 gusht 2022

Ka ndodhur sezonin e fundit, kur Mançesteri u drejtua nga Solskjaer dhe Rangnik. Nuk është sekret që pati fërkime në dhomat e zhveshjes, por në shkurt situata degjeneroi. Pas një prej shumë sfidave zhgënjyese, një delegacion i përbërë nga Ronaldo, Pogba dhe Varane shkoi në zyrën e Rangnik për t’i shprehur gjermanit pikëpamjen e vet.

Mungonte kapiteni Meguajër. Një mungesë jo e rastësishme, pasi tre lojtarët e konsideronin atë një "problem". Ronaldo kërkoi në atë takim uljen në stol të mbrojtësit anglez për shkak të formës së dobët, pavarësisht se mbante shiritin e kapitenit.

Trajneri e priti dhe dëgjoi delegacionin, por vuri ‘veton’ mbi kërkesat e tij. Përkundrazi, kërkoi më shumë profesionalizën, pasi e quajti këtë sjellje të papërshtatshme, aq më shumë që Meguajër mungonte.

Kërkesat e Ronaldos nuk u mjaftuan me Meguajër, ai u fut edhe në çështje teknike, duke i propozuar trajnerit Rangnik si dhe me kë donte të luante në sulm, duke ‘djegur’ zgjedhjet e tij. Ronaldo propozoi të luante me Kavanin por edhe në këtë rast trajneri nuk e dëgjoi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë