Futboll

Ronaldo Fenomeni: Kur dëgjojnë himnin e Championsit, lojtarët e bëjnë në brekë

Ka legjenda të futbollit, që pavarësisht karrierës brilante, nuk e kanë fituar kupën me veshë të mëdhenj, Championsin. Ish-sulmuesi i famshëm brazilian, Luiz Nazario da Lima, i njohur si “Fenomeni”, e ka mbyllur karrierën me këtë peng, por ai ka një teori të vetën pse shumë futbollistë frikësohen në turneun me prestigjioz europian.

Historia e futbollit është e mbushur me kampionë për gjysmë. Ka nga ata që janë shpallur kampionë bote, por Championsin nuk kanë arritur ta fitojnë. Ibrahimoviç dhe Bufon duan ta provojnë deri në fund për t’ia shtuar këtë trofe palmaresit të tyre të pasur. Italiani i PSG-së është në avantazh ndaj kolegut suedez, që shpreson të kthehet në Europë në janar. Mes atyre që tani nuk mund të bëjnë më asgjë për këtë trofe, është një ndër sulmuesit më të mëdhenj të historisë: Luiz Nazario da Lima. Ka fituar Botërorin dy herë (USA 1994 dhe Kore-Japoni 2002), por nuk ia ka dalë të fitojë një Champions, edhe pse ka luajtur me ekipe si Reali, Barcelona dhe Interi. Dhe një arsye e ka…

Ronaldo në dyluftim me Maldinin

Ronaldo e ka vuajtur në kurriz ndjenjën që të krijon himni i Champions League: “Në ato momente, kur këndohet himni i Champions League, lojtarët e bëjnë në brekë, pastaj marrin topin dhe çlirohen disi”, - ka thënë braziliani për “As”. Ai ka pranuar se Championsi duhet të jetë një ëndërr e çdo lojtari. Ndoshta mund ta fitojë si president, por aktualisht Valadolidi i tij është shumë larg këtij objektivi dhe ka pak të ardhura për të bërë diferencën në merkato.

“Fenomeni” është edhe një kampion sinqeriteti. E sheh futbollin me sy tjetër dhe mendon se ky sport ka ndryshuar shumë në krahasim me kohën kur ai luante. “Futbolli ka ndryshuar, shpresoj që futbollistët të bëjnë gjithmonë më të mirën dhe të jenë sa më të ndershëm në fushë dhe jashtë saj. Mendojnë arbitrat për të dënuar sjelljen e tyre jokorrekte. Brazili? Nga viti 2002 e deri më sot nuk kemi fituar asgjë dhe nuk ndihemi mirë. Kemi më shumë probleme se Meksika, për shembull, dhe më shumë dyshime për skuadrën tonë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë