Të buzëqeshur pranë njëri-tjetrit, si kurrë më parë. Në Montekarlo, gjatë hedhjes së shortit për grupet e Ligës së Kampionëve, Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo kanë marrë gjithë vëmendjen, si gjithmonë. Por e veçanta këtë herë është se ata kanë folur me shumë dashuri për njëri-tjetrin. “A i mungojmë njëri-tjetrit? Po, ka qenë një rivalitet i bukur mes nesh, kurse tani e shoh nga larg’, – ka thënë i pari argjentinasi.
Përgjigja e portugezit ka qenë në të njëjtën linjë. “E kemi ndarë këtë skenë për 15 vjet me radhë dhe nuk e di nëse ka ndodhur më parë diçka e tillë. Nuk është e lehtë, kemi një raport shumë të mirë. Ende nuk kemi darkuar bashkë, por shpresoj se do ta bëjmë në të ardhmen. Sigurisht, më mungon Spanja dhe të luajturit kundër Mesit. Më ka nxitur të përmirësohem vazhdimisht, siç besoj se kam bërë edhe unë me të. Është diçka shumë e bukur të jesh pjesë e historisë së futbollit”, – është shprehur Kristiano Ronaldo.

Janë fjalë të thëna plot buzëqeshje nga dy yjet e futbollit botëror, pak para se ata të mësonin se ishin mundur nga mbrojtësi i Liverpulit, Virxhil Van Dijk, në garën për lojtarin më të mirë të Ligës së Kampionëve të sezonit të kaluar. Një atmosferë shumë e ngrohtë këtë herë mes dy rivalëve të përjetshëm. “Ai është 3 vjet më i vogël se unë, por mendoj se jam ende në formë të mirë për moshën që kam. Shpresoj të jem përsëri këtu edhe për 2-3 vjet”, – ka përfunduar sulmuesi i Juventusit, Kristiano Ronaldo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.