Futboll

Ronaldo as që e mendon tërheqjen: Do jem në Euro 2024, po ua them që tani!

Gazeta Si – Vitet kalojnë për të gjithë, edhe për Kristiano Ronaldon. Por kjo nuk do të thotë se 5 herë fituesi i ‘Topit të Artë’ ka në plan të tërhiqet. Së fundi ka pasur supozime për një tërheqje të mundshme të tij, por shpjegimin e jep vetë portugezi.

Ronaldo ka thënë në Portugali se objektivat e tij janë dy eventet e mëdha ndërkombëtare. Natyrisht, Botërori i Katarit, që nis së shpejti, dhe Europiani, që zhvillohet në 2024-ën, kur sulmuesi do të jetë 39 vjeç. Një numër që duket se nuk e shqetëson aspak atë.

Kristiano Ronaldo. Gazeta Si, 22 prill 2022

“Ka qenë një rrugëtim i gjatë, por po përfitoj nga ky rast për të thënë se nuk ka përfunduar ende. Do ta shikoni Kristianon edhe për pak kohë. Ndihem i motivuar dhe plot ambicje. Jam në një kombëtare me djem të rinj dhe dua të marr pjesë si në Botëror, ashtu edhe në Euro 2024. Po ua them që tani", - u shpreh CR7.

Botërori i Katarit do të jetë i 5-ti në karrierë për Ronaldon. Rezultati më i mirë është vendi i 4-t në 2006-ën. Për sa u takon Europianëve, në 2024-ën bëhen 20 vjet nga ai i pari, ku Portugalia u mund të finale nga Greqia. Por Kristiano arriti ta fitonte trofeun në 2016-ën, kur la fushën në finale për shkak dëmtimi.

Federata portugeze vendoi ta nderonte Kristianon për faktin se në 2021-shin kaloi iranianin Ali Daei si shënuesi më I mirë në një kombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë