Futboll

Romario, “mbreti i zonës” që riktheu Brazilin kampion pas 24 vitesh

“Kam shënuar kundër çdo skuadre, kundër çdo kombëtareje, kundër çdo mbrojtësi në botë”. Romario është i bindur se ka shënuar më shumë se 1000 gola, edhe pse FIFA i njeh zyrtarisht 929 gola. “Nuk ka diferencë të madhe në këto shifra, por një gjë është e sigurt: në zonën e rreptësisë ai është mbreti”, - ka shpjeguar Karlos Alberto Parreira, trajneri i Brazilit, i cili ishte duke përgatitur Botërorin e 1994-ës. Tek ai mbret besonte një komb i tërë, i mësuar me heronj. Parreira e vendoste skuadrën në fushë sipas modulit më brazilian të mundshëm, 4-2-2-2, të bazuar në dy principe: kontrolli i topit dhe Romario.

“Nuk ishte një skuadër mbrojtëse, - shkruan Paulo Vinicius Koelho i “ESPN Brazil”. - Kishte një mbrojtje të fortë dhe dinte ta kontrollonte lojën. Pastaj, sapo gjente pak hapësirë, Romario shënonte”.

Romario dhe Ronaldo festojnë fitoren ndaj Italisë në finalen e Botërorit Usa 1994

30 GOLA ME BARCELONËN – Një vit më parë, pas 165 golash në 167 ndeshje me PSV Eindhoven, Romario kaloi te Barcelona. Johan Kruijf, i cili në atë kohë po ndryshonte filozofinë e skuadrës, duke e çuar në drejtimin e ndjekur më pas nga Pep Guardiola, donte një Barcelonë me lojtarë jo shtatlartë, të zhdërvjellët dhe ekstremisht teknikë. “O'Baixinho” (shkurtabiqi), ishte njeriu i duhur, në vendin e duhur. Ai shënoi 30 gola në 33 ndeshje kampionati. “Romario, – thoshte profeti holandez i golit, – është futbollisti më i mirë që kam stërvitur”. Në atë kohë një skuadër lejohej të kishte vetëm tre të huaj në fushë dhe te Barcelona ishin Laudrup, Koeman dhe Stoiçkov.

Romario feston një gol me fanellën e Barcelonës

“Ishim si nata me ditën, – tregon lojtari bullgar në autobiografinë e tij, – por u bëmë të pandashëm”. “El Clasico” i parë ishte paharrueshëm, pasi Romario shënoi 3 gola në fitoren 5-0 ndaj Real Madrid. Ajo ndeshje u bë miti i “Dream Team” të katalanasve. Braziliani gjunjëzoi Alkortën me një driblim ikonik, elektrizues, natyral dhe total, të njohur që prej atij momenti si “bishti i lopës”. Ai sezon ka një histori të rrallë për brazilianin: polemika, skandale, paparacë, një grusht Simeones dhe finalja e Championsit e humbur 4-0 në Athinë ndaj Milanit të Kapelos. Pastaj edhe rrëmbimi i babait Edevair Souza de Faria në maj të 1994-ës. Rrëmbyesit kërkonin 7 milionë dollarë për ta lënë të lirë, por Romario ishte një njeri i dashur edhe për të ligjtë e Rio de Zhaneiros, kështu që historia u mbyll brenda pak ditësh.

Romario dhe Bebeto

ROMARIO DHE BEBETO – Policia e gjeti babanë e Romarios në një apartament, të shtrirë në një dyshek. Në dhomë ishte edhe një televizor, e kishte kërkuar për të parë të birin në ndeshjen e dytë me Realin. Barcelona fitoi 1-0, por nuk ishte Reali rivali për titull i katalanasve. Rivali kryesor ishte Deportivo La Korunja, që në minutën e fundit të javës së fundit të kampionatit kishte shansin e madh të fitonte titullin. Penallti dhe Deportivo është shumë pranë titullit të parë në histori. Gjithçka varet nga Djukiç, i cili, i terrorizuar, gjuan shumë keq. Valencia barazon 0-0 me Deportivon, Barcelona mund Seviljen 5-2 dhe fiton titullin. Penalltinë në “Riazor” duhej ta gjuante Bebeto, partneri i Romarios në sulmin e Brazilit. Në Amerikë këtë dyshe nuk arriti ta ndalte askush. Duke parë kontradiktat e gjithë sezonit në Spanjë, Romario nuk e donte pranë në avionin, me të cilin Brazili udhëtonte për në Amerikë. “Ne sulmuesit duhet të jemi egoistë”, - thoshte “Baixinho” para nisjes së Botërorit.

Roamrio në dyluftim me Maldinin

USA 1994 – Në Botërorin e Amerikës Romario ishte i pakapshëm në fushë. Ai shënoi në 5 nga 6 ndeshjet deri në finale. Nuk e gjeti golin vetëm në ndeshjen me USA-n, por dha asistin për golin vendimtar të Bebetos. Nga 5 golat, 3 i shënoi në ndeshjet në grup, 1 ndaj Holandës në çerekfinale dhe golin e fitores ndaj Suedisë në gjysmëfinale. Dhe këtë të fundit e shënoi me kokë… Futbolli dhe femrat kanë qenë dhe janë dy pasionet e Romarios. Ronaldo ka thënë se prej tij mësoi jetën e natës gjatë Kupës së Amerikës në vitin 1997. Romario pranoi publikisht se natën para finales kishte bërë seks dhe gruaja e tij, Monika, nuk vonoi të kërkonte divorcin, sepse atë natë në shtrat nuk ishte ajo. Romario i bënte gjërat sipas mënyrës së tij, në fushë dhe jashtë saj. I njeh femrat dhe e tradhton gruan.

Në finalen e Botërorit të Amerikës gaboi në një rast flagrant në kohën shtesë, por nuk pati frikë të gjuante penalltinë e dytë. “Isha pak nervoz, nuk kisha gjuajtur asnjë penallti më parë në kombëtare” – tha sulmuesi pas finales. Nuk kishte bërë stërvitje për penalltitë, por shënoi. Fati ishte i shkruar. Pas 24 vitesh, Brazili ishte sërish kampion bote, sërish kundër Italisë në finale, si në Meksikë në vitin 1970. “Marrja e kupës së botës nga Dunga dhe ngritja e saj në qiell është momenti, për të cilin jam më shumë krenar në karrierën time”, - u shpreh Romario, i cili më pas nuk do të luante më asnjë minutë në një Kupë Bote.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë