Kombetarja

Roma në krizë, gati t’i rrëmbejë trajnerin Panuçi Shqipërisë

Humbja turpëruese në derbi ka thelluar krizën e Romës dhe trajneri Euzebio Di Françesko rrezikon seriozisht vendin e punës. Qëndrimi i tij varet nga ndeshja e kthimit në Champions League me Porton: nëse Roma kualifikohet, ai do të vazhdojë të jetë në krye të Romës, nëse eliminohet, do të shkarkohet menjëherë, për t’ia lënë vendin trajnerit të Shqipërisë.

Drejtuesit e Romës po mendojnë për pasuesin e Di Françeskos dhe mund t’i prishin punë Shqipërisë në një moment të rëndësishëm. Në listën e kandidatëve për trajnerin e ri të Romës, gjithmonë në rast largimi të Di Françeskos, është edhe trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi. Madje, ai është një kandidat i fortë, ashtu si dhe portugezi Paolo Sousa, sipas “Gazzetta dello Sport”. Një lajm që qarkullon në Itali që pas derbit Lacio-Roma, që përfundoi me rezultatin 3-0 dhe duket se në këtë pikë sosi edhe durimi i drejtuesve të klubit verdhekuq. Roma rrezikon shumë pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm dhe kjo është e papranueshme, por më e keqja është se skuadra po luan shumë dobët.

Kristian Panuçi

Duhet ndryshim, megjithatë trajneri aktual e ka edhe një shans. Të mërkurën merr drejtim situata dhe zhvillimet te Roma prekin edhe Shqipërinë. Nga Italia ka zëra se Panuçi mund të zgjidhë kontratën me Shqipërinë me mirëkuptim, falë raporteve të mira që ka me FSHF-në, për të marrë drejtimin e ish-skuadrës së tij. Dhe gjithçka ndodh, kur Shqipëria do të nisë rrugëtimin në eliminatoret e Euro 2020, pak ditë para ndeshjes së parë me Turqinë. Të gjithë presin me interes listën e Panuçit për ndeshjet e para, ndërkohë trajneri italian mund të largohet vetë, edhe pse për momentin mbetet një hipotezë. Në Shqipëri, me sa duket, duhet të bëjnë tifo për Romën të mërkurën në Champions, që ajo të mos ndërrojë trajner.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë