Futboll

Roma në kaos, pas trajnerit edhe drejtori Monki me valixhe në duar

Te Roma janë ditët e një revolucioni të madh në drejtimin e ekipit. Humbja në derbi, skualifikimi nga Champions, largimi i trajnerit Di Françesko dhe tashmë edhe largimi i drejtorit sportiv, Monki e kanë futur në një situatë shumë të vështirë klubin roman. Për zëvendësuesin e Di Françeskos nga Anglia është nisur Klaudio Ranieri që është gati të rikthehet në stolin roman, për ta nxjerrë atë nga kriza dhe me shpresë se mund ta kualifikojë në Champions sezonin e ardhshëm.

Por largimi i Di Françeskos nuk është pritur mirë nga drejtori sportiv, Monki i cili është i radhës që ka marrë valixhet dhe do të largohet nga klubi verdhekuq. Sipas medieve italiane pritet vetëm zyrtarizimi i largimit të drejtuesit spanjoll që nuk ka pranuar të vijojë të jetë në drejtimin e Romës, pas largimit të Di Françeskos, të cilin ai e kishte mbrojtur deri në fund.

Ndërkohë Ranieri mësohet se ka mbërritur mëngjesin e kësaj të premte në Romë dhe do të ulet të bisedojë me presidentin Palota për kontratën. Për teknikun veteran besohet se në fillim do të ketë një propozim për kontratë deri në fund të sezonit dhe nëse arrin ta kualifikojë skuadrën në Champions mund të qëndrojë edhe për sezonin e ardhshëm. Gjatë kësaj fundjavë ai mund të marrë drejtimin e ekipit për të humbur sa me pak kohë. Orët dhe ditët në vijim për ambientin e klubit pritet të jenë shumë të ethshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë