Futboll

Roma në delir për Uijnaldum, tani Mourinjo ka një ekip për Champions

Gazeta Si – Qindra tifozë të Romës kanë pritur në aeroport holandezin Uijnaldum, goditjen e fundit të Mourinjos. Akordi mes Romës, PSG-së dhe lojtarit është për një huazim me të drejtë blerjeje për 8 milionë euro. Lojtari do të marrë 5 milionë euro nga Roma dhe 2 të tjera nga PSG.

Mourinjo pret edhe sulmuesin Beloti për të mbyllur një merkato mjaft të mirë. Më parë në skuadër kanë ardhur Nemanja Matiç dhe Paulo Dibala.

Uijnaldum, kur luante me Liverpulin. Gazeta Si, 5 gusht 2022

Uijnaldum, pas fërkimeve që pati me PSG-në e re të Galtier dhe Kampos, synon rilindjen te Roma, në krah të lojtarëve si Matiç, Pelegrini, Kristante dhe Zaniolo. Ai kërkon të tregojë në Serinë A se është ende lojtari që ka shënuar 22 gola dhe ka dhënë 16 asiste në 237 ndeshje me fanellën e Liverpulit.

Sezonin e fundit holandezi shënoi vetëm 3 gola dhe dha 3 asiste në 31 ndeshje me PSG-në. Për Romën është një goditje e madhe. Merkatoja e Romës merr vlerë edhe nga shitja e Veretu te Marseja për 11 milionë euro. Roma pret të sistemojë edhe Shomurodov, Vilar dhe Klaivert.

Me afrimin e Uijnaldum rriten pretendimet e Romës, ku minimialisht synohet rikthimi në Champions. Mourinjo ka në skuadër lojtarët që dëshironte. Moduli 3-4-2-1 do ta lejojë atë të përdorë në mënyrën më të mirë një numër të madh lojtarësh.

Uijnaldum mund të luajë para mbrojtjes, bashkë me një mes Matiç dhe Kristante, ose pas shpinës së Abraham. Dhe do të jetë stoli i pasur ‘arma’ e Mourinjos për rikthimin në Champions.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë