Futboll

Roma blindohet para derbit, monitorim me dron dhe helikopter

Lacio-Roma do të jetë një derbi “i blinduar” në kuptimin e plotë të fjalës. Në planin e sigurisë për këtë ndeshje, që luhet në orën 18:00, do të jenë të angazhuar reth 1500 agjentë policie, jo vetëm për zonën e stadiumit “Olimpico”. Rreziku i incidenteve është i një shkalle të lartë, duke pasur parasysh tensionin mes ultrasve të Lacios dhe Kuesturës, pas funeralit publik të kapoultrasti të vrarë ditë më parë, Fabricio Pishiteli.

Organet kompetente po ushtrojnë kontrolle të imtësishme edhe në aeroporte, stacione hekurudhore dhe në autostrada, sepse në Romë mund të vijnë edhe ultras të tjerë të binjakëzuar me ata të Lacios, siç ka ndodhur edhe më parë. Në zona të caktuara të Romës është parashikuar që të përdoren agjentët me kuaj, por edhe një helikopter. Po ashtu, zonat më të rrezikshme do të monitorohen me dronë, që do të filmojnë nga lart çdo zhvillim. Do të ndalohet qarkullimi i makinave dhe parkingjet do të jenë të kontrolluar në çdo moment. Në stadium pritet të jenë të pranishëm më shumë se 50 mijë tifozë.

Tifozët ultras të Lacios. Gazeta Si, 1 shtator 2019

Një derbi që paraqet interes edhe për tifozët shqiptarë, pasi është një nga ndeshjet më të bukura të Serisë A. Për më tepër, në fushë do të jetë edhe Tomas Strakosha, portieri titullar i Lacios dhe i Kombëtares së Shqipërisë. Pritet një ndeshje mjaft e nxehtë në fushë dhe në shkallët e stadiumit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë