Libra

Rojtari i Fundit – Në Nju Jorkun e emigrantëve nga Europa

Nju Jork, 1954. Edhe pesë ditë kanë mbetur para se qendra e Elis Ajlënd, nëpër të cilën kanë kaluar të gjithë imigrantët nga Europa, që nga viti 1892, të mbyllet përfundimisht. Xhoni Miçëll, nëpunësi i fundit që ka mbetur në qendër, nis të mbajë një ditar. Ai ndjen nevojën të çlirohet nga disa kujtime, të cilat vijnë me dallgë, si valët e detit që përplasen pas ishullit të famshëm.   

Pak nga pak, na paraqiten personazhet kryesore të jetës së tij: dy gra, dy anije, dy keqardhje. Në njërën anë, Lizi, bashkëshortja e tij e dashur, dhe në anën tjetër, Nela, imigrantja nga Sardenja, me një të kaluar të çuditshme. Fantazma të tjera shfaqen në këtë kohë rrëfimesh e kujtimesh: një anarkist italian, një shkrimtar hungerez, një shok fëmijëri në Bruklin, e shumë të tjerë.

Për imigrantët polakë, çekë, italianë e hungarezë, Amerika qe Toka e Premtuar, por edhe një zhgjëndërr drejt së cilës u nisën të vetëdijshëm turravrap. Do pranohen apo jo në Amerikë: fati i tyre varej nga përgjigjet që jepnin në një pyetësor dhe nga vendimet e një nëpunësi.
Po, gjithçka erdhi nga deti, nga këto anije të mbushura me varfanjakë të rrasur si bagëti në hambarët e ndyrë, prej nga dilnin, të shastisur, të mpirë dhe këmbëdridhur, për t’u takuar me ëndrrat dhe shpresat e tyre. I kam sërish para syve. Këtu fliten të gjitha gjuhët. Ky është një Babel i ri, por i cunguar, i sheshuar, i ndalur në hovin e tij dhe i ngulur në tokë. Një Babel pas shkatërrimit të tij nga Zoti i Zanafillës, një Babel i dëshpërimit, i hallakatjes dhe i kthimit të gjithsecilit në gjuhën e tij fillestare.


Është ky subjekti i romanit “Rojtari i fundit” i shkrimtares franceze Gaëlle Josse, sjellë në shqip nga Lorena Dedja, në logon e Botimeve “Pegi”. “Duke përzier faktet e vërteta me ato të trilluara, autorja ka krijuar një tekst melankolik dhe drithërues”, shkruan kritika në Livres Hebdo, ndërsa për Page des Libraires, stili i mprehtë dhe i mirëpeshuar i autores e bën lexuesin të kuptojë dhe të ndiejë një pjesëz të historisë amerikane, nëpërmjet trazimeve të një shpirti në mëshirë të demonëve të tij…


Një histori keqardhjeje që kthehet nga e kaluara për të kafshuar dorën e atij që e ka ushqyer, me dhëmbët e mprehur nga pendesa, humbja dhe vetmia.

Shkritmarja franceze Gaëlle Josse

Gaëlle Josse e ka nisur veprimtarinë e saj letrare si poete dhe më pas ka botuar katër romane. Secili prej tyre ka fituar disa çmime, duke përfshirë këtu edhe Çmimin Alain-Fournier më 2013 dhe Çmimin Europian të Letërsisë, me romanin “Rojtari i fundit” në vitin 2015. …Njerëzit e shërbimit të imigracionit e gjetën trupin, kur mbërritën të nesërmen në mëngjes. Ai pluskonte mbi skelë dhe ata e panë që para se të zbrisnin. Një mushama e rëndë e murrme, e hedhur mbi uniformë, e kishte mbajtur trupin në sipërfaqe, si një kamerdare. Sapo zbritën nga trageti, burrat e nxorën kufomën nga uji dhe njohën drejtorin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë