Sociale

Rivendoset trau në Rrugën e Kombit, protestë e vakët

Që prej orës 00:01 të së hënës ka nisur në Rrugën e Kombit kalimi me pagesë. Situata në traun e vendosur nga kompania koncesionare në orët e para të mëngjesit ishte e qetë dhe vetë kompania thotë se procesi po ecën pa asnjë problem.

Por, banorët e Kukësit e kundërshtojnë pagesën, megjithëse qeveria dhe koncesionari deklarojnë se për ta do të ketë tarifa të reduktuara dhe minimale.

Protesta e thërritur në orën 11:00 në qytetin e Kukësit u mbajt, por ajo nuk kishte as përmasat dhe as dhunën e protestës së 31 marsit dhe ata pak persona që u mblodhën u shpërndanë brenda pak minutave.

Organizatorët e protestës cilësojnë traun e vendosur si të paligjshëm dhe kërkojnë nga qeveria që të tërhiqet nga kjo nismë.

Për të shmangur incidentet, në vendin ku janë vendosur sportelet u vu re prania e policisë, ndërsa mbrëmjen e së dielës, deputeti i PD-së, Agron Shehaj denoncoi përmes një videoje praninë forcave të shumta policore në qytetin e Kukësit.

“Çfarë trimi është Rama, përqëndron policinë në Kukës, për të trembur qytetarët që nuk duan të paguajnë për të dalë dhe për të hyrë në Kukës. Policia është me Ramën dhe Oligarkët, unë jam me qytetarët e Kukësit. Protesta e tyre është me të drejtën e Zotit, janë të varfër dhe duan të jenë të lirë të lëvizin, si gjithë shqiptarët e tjerë. Lëvizja e lirë është një e drejtë kushtetuese dhe askush nuk mund t'i detyrojë të paguajnë për të kaluar në të vetmen rrugë që e lidh me pjesën tjetër të Shqipërisë”, shkruan ai.

https://www.facebook.com/agronshehaj.al/videos/2213709185552826/

Më 31 mars të këtij viti, sportelet e vendosura nga kompania koncesionare në Rrugën e Kombit u dogjën nga protestuesit kuksianë. Dhjetra qytetarë kuksianë përfunduan në prangat e policisë, në një aksion që u ndërmor në orët e natës në qytetin veri-lindor. Ndaj tyre u ngritën një sërë akuzash, në një proces gjyqësor që ngjalli reagime të shumta.

https://www.youtube.com/watch?v=HdDGxoeMl5g

Qeveria u tërhoq përkohësisht nga kjo ide dhe Kryeministri Rama kërkoi nga Ministria e Infrastrukturës dhe nga kompania koncesionare që tarifat të rishikohen, por jo të eleminohen plotësisht.

Kështu ndodhi dhe pas një sërë negociatash është vendosur që banorët e Kukësit dhe zonave përreth saj të paguajnë një tarifë të reduktuar. Në sportel do të bëhet verifikimi i targës dhe banorët lokalë do të përfitojnë tarifën e reduktuar prej 100 lekësh, po aq sa disa linja të transportit publik. Çdo mjet që i korrespondon Qarkut të Kukësit, targat e të cilave janë futur në sistem dhe çdo banor do të verifikohet përpara se të paguajë tarifën e reduktuar.

Kompania koncesionare thotë gjithashtu se tarifa të reduktuara do të kenë edhe përdoruesit e shpeshtë të rrugës, që do të vlerësohen në bazë të regjistrimit të çdo kalimi në këtë sportel, që ruhen nga sistemi.

Por, tarifa kundërshtohet edhe në Kosovë. Vetë Kryeministri Ramush Haradinaj i ka cilësuar të larta tarifat për qytetarët e Kosovës, e po ashtu këtë shqetësim ja përcolli së fundmi ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli homologut të tij Ditmir Bushati.

https://www.facebook.com/behgjeti/posts/10160759917130153

Sa do të paguhet?

Tarifa për kalimin e automjeteve në autostrada Milot –Morinë do të jetë 660 lekë (ose 5 euro).

Për banorët qarkut Kukës kjo tarifë është e reduktuar në 100 lekë me tvsh.

Për çdo kalim deri në 44 kalime tarifa është 100 lekë përfshirë edhe tvsh-në.

Tarifat variojnë sipas llojit të mjetit; motoçikletat dhe automjete me tre rrota do të paguajnë 330 lekë, përjashtim bëjnë banorët e qarkut Kukës të cilët do ta kenë tarifën 50 lekë.

Automjete komercilale me dy akse dhe 6 rrota (1.90 m dhe 2.70 m) do të paguajnë 1490 lekë.

Kamionë të mesëm dhe autobusë të rëndë, përfshirë mjete me lartë 2.7 m do të të paguajnë 21 40 lekë.

Kamionë të rëndë 4 akse a më shumë, do të paguajnë 2970 lekë.

Përdoruesisht e shpeshtë të kësaj rruge do të përfitojnë reduktime të ndjeshme të tarifiit.

Për 20-30 kalime në muaj, përfitojnë 10% zbritje

Për 30-50 kalime në muaj përfitojnë 20% zbritje

Për 50-60 kalime në muaj përfitojnë 30% zbritje dhe mbi 60 kalime përfitojnë 40% zbritje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë