Futboll

Rivalët e shohin me ‘dylbi’, por Tirana e do titullin në ‘kasafortë’ sa më parë

Gazeta Si - Nuk ka më asnjë dyshim se titulli i sezonit 2021-2022 është i Tiranës. Me 16 pikë diferencë nga vendi i dytë, kur kanë mbetur edhe 8 javë, kjo skuadër pret vetëm matematikën për të hapur shishen e shampanjës.

Ndonjë tolerim i vogël mund t’i lejohet vetes në të tilla raste, por në kampin bardheblu as që e mendojnë këtë gjë, ata e duan titullin në kasafortë një orë e më parë. Trajneri Orges Shehi theksoi pak ditë më parë se kërkonte nga Tirana e tij 9 pikë në 3 ndeshjet e radhës, pra 3 fitore radhazi.

Toli, Seferi dhe Muça ne stervitje. Gazeta Si, 16 prill 2022

E arriti të parën në Korçë javën e fundit, kurse sot do të tentojë të dytën në Rrogozhinë ndaj Egnatias. Edhe kapiteni Erjon Hoxhallari është shprehur se Tirana nuk do të ketë mëshirë për asnjë kundërshtar dhe se do të bëjë detyrën në çdo ndeshje deri në fund.

Nuk është sekret që Tirana po mendon për një përfaqësim sa më dinjotoz në Europë, kështu që duhet t’i mbyllë llogaritë e titullit sa më parë edhe matematikisht. Egnatia dhe gjithë kundërshtarët e mbetur janë të paralajmëruar.

Po sot zbret në fushë dhe Kukësi, që ka devijuar nga objektivat e fillimit të sezonit. Pas elimimit nga Kupa e Shqipërisë, tani duhet të mbajë me çdo kusht vendin e tretë në kampionat për të shmangur dështimin. Pa Europë, do të ishte fatale për skuadrën e italianit Longo, që ndeshet sot me Kastriotin, një nga skuadrat më në formë të momentit, që i është larguar zonës së rënies.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë