Portugezi Paolo Sousa ka marrë drejtimin e Polonisë, një prej skuadrave rivale të Shqipërisë në Grupin I të kualifikueseve të Botërorit 2022. Gjatë prezantimit në stolin e Polonisë, ai ka thënë se ka shumë besim për ndërtimin e një skuadre të madhe, të aftë për të arritur obektivat e saj.
"Dua të ndërtoj një skuadër kurajoze dhe ambicioze. Polonia është një vend plot besim, që nuk dorëzohet kurrë. Duam të kemi një skuadër me besim në vetvete, me shpresë dhe bindje. Shpresa dhe besimi mund të na lejojnë të krijojmë një skuadër të madhe kombëtare dhe të arrijmë suksese së bashku”, - u shpreh në konferencë shtypi trajneri i ri i polakëve.
Sousa do të mbështetet te sulmuesi i Bajernit të Mynihut, Robert Levandovski, tek i cili sheh një lider të kompletuar. “Kam folur me Levandovskin. Doja të shihja pasionin dhe impenjimin në sytë e tij dhe pashë pikërisht këto gjëra. Roberti nuk është vetëm lojtari më i mirë në botë, por edhe një lider i vërtetë i skuadrës kombëtare”, - shtoi Sousa, ish-lojtar i Benfikës, Juventusit, Borusia Dortmund dhe Interit, si dhe trajner i disa skuadrave me emër.
Polonia është një nga skuadrat favorite për kreun e Grupit I, pas Anglisë. Skuadrat e tjera të grupit janë Hungaria, Androrra dhe San Marino. Kuqezinjtë synojnë të kapin vendin e tretë në grup dhe rival direkt konsiderohet Hungaria, por gjithçka mund të ndodhë dhe do të tentohet vendi i dytë, që në letër i “takon” pikërisht Polonisë. Ndeshjen e parë me këtë rival Shqipëria e ka më 2 shtator, në transfertë, kurse të kthimit më 12 tetor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.