Kombetarja

Risitë e listës Panucci, nga “greku” Mihaj te “plaku” Agolli

Në prag të dy ndeshjeve të para për kompeticionin më të ri europian për kombëtaret, Uefa Nations League, trajneri i ekipit kombëtar të Shqipërisë, Christian Panucci ka bërë publike listën e lojtarëve të grumbulluar. Lista është e përbërë nga 25 futbollistë, mes tyre emra të njohur dhe me pak të njohur, të rinj dhe veteran. Edhe në këtë listë, ashtu siç zakonisht ndodh nuk janë shmangur debatet për lojtarët e thirrur, por edhe për ata që nuk janë grumbulluar, ose janë kaluar në ekipin U-21. Ashtu siç Panucci deklaroi në konferencën për shtyp, skuadra kuqezi nëse një ditë do i kishte të gjithë lojtarët e saj në dispozicion, do ishte e fortë. Por një gjë e tillë pak shanse ka që të ndodh, pasi në futbollin e sotëm dëmtimet, por edhe mungesat e aktivizimit janë gjithmonë të pranishme.

Trajneri i ekipit Kombetar Shqiptar te futbollit, Italiani Christian Panucci, duke folur gjate nje konference,perpara ndeshjes me Izraelin e vlefshme per turnenun Nations Leage.

Mungesat dhe përjashtimet nga lista

Për ta filluar më atë që gjithmonë i shkakton dhimbje koke trajnerit italian, Panucci, mungesat. Këtë herë italiani mund të ketë të drejtë për këtë çështje, pasi ato janë të shumta, por edhe të rëndësishme, pasi nuk kanë ardhur në ekipin kombëtar lojtarë me peshë që deri para një ose dy vitesh mbanin peshën e titullarit. Lista e gjatë dhe fillon me sulmuesin, Armando Sadiku vijon më anësorët, Odise Roshi dhe Liridon Latifi në mesfushë nuk është thirrur Kamer Qaka, ndërsa në mbrojtje Panucci do duhet të bëjë pas Naser Alijin, Emir Lenjanin dhe Arlind Ajetin.

Odise Roshi dhe Armando Sadiku gjatë një ndeshje me kombëtaren

Një pjesë e madhe e këtyre futbollistëve nuk janë grumbulluar për shkak të dëmtimeve, por ka edhe nga ata që janë lënë jashtë për zgjedhje të vetë trajnerit. Dy titullarët e sulmit, Roshi dhe Sadiku duket se janë mungesat që do të ndihen më shumë për Shqipërinë në këto dy ndeshje, duke parë edhe rëndësinë që ata kanë në formacionin kuqezi. Të dy lojtarë janë të dëmtuar dhe pritet të mungojnë gjatë. Por edhe Ajeti që prej disa kohësh nuk është në një moment të mirë në karrierën e tij do të mungojë në repartin difensiv, aty ku Shqipëria ka shfaqur më shumë probleme dhe që Panucci ka më tepër “dhimbje koke”. Përpos këtyre ka edhe lojtarë si Qaka apo Lenjani, të cilët nuk janë thirrur nga Panucci pasi nuk gëzojnë një formë të mirë në këtë fillim sezoni me skuadrat e tyre.

Sokol Cikalleshi gjate ndeshjes miqesore Shqiperi-Ukraine, 1-3

Nëse për të gjithë lojtarët e mësipërmendur, Panucci e ka një justifikim pse nuk i ka thirrur, për Cikalleshin ka shumë pikëpyetje. Një mister mbetet lënia jashtë këtij grumbullimi sulmuesit kavajas, i cili firmosi kontratë në Superligën turke me skuadrën e Gëztepes vetëm pak ditë më parë.

Spostimi i të rinjve

Ylber Ramadani, Albi Doka dhe Kristal Abazaj me kombëtaren U-21

Çdo trajner në drejtimin e kombëtares shqiptar ka pasur si refren kritikën e përhershme për mungesë të hapësirave për futbollistët e rinj të perspektivës. Edhe Christian Panucci nuk mund të shpëtonte nga një “shigjetë” e tillë. Italiani nuk ka thirrur disa futbollistë të rinj që janë futur tashmë në xhiron e kombëtares si Keidi Bare, Kristal Abazaj, Ylber Ramadani dhe portieri Gentian Selmani. Keidi Bare është e vërtetë që luante në ekipin B të Atletico Madrid, por duke qenë një nga më të mirët në këtë ekip dhe për më tepër që vetëm pak ditë më parë ka kompletuar transferimin në skuadrën e parë të skuadrës të Malaga në La Liga. Pak më shumë delikte duke çështja e Kristal Abazajt. Sulmuesi me origjinë tropojane, pasi u transferua në Belgjikë te Anderleht, duket se do të kthehej në një lojtarë stabël të kontingjentit kuqezi, të paktën për Ligën e Kombeve. Por Panucci nuk ka preferuar ta thërrasë, duke e dërguar atë në ekipin “shpresa”, siç ka bërë edhe me Keidi Baren. Abazaj në një prononcimin për Gazetën Si pak ditë më parë kishte konfirmuar se nuk do të ishte pjesë e kombëtares për këtë grumbullim, duke shprehur njëkohësisht edhe habinë e tij për këtë gjë.

Por habia më e madhe në listën e Panucci për dy ndeshjet e këtij shtatori ishte lënia jashtë e Ylber Ramadanit. Mesfushori shtatshkurtër dukej sikur ishte kthyer në një beniamin të Panuccit dhe nuk kishte munguar në asnjë nga grumbullimet e mëparshme, madje në disa ndeshje ka hyrë si titullar. Strategu kuqezi për dy ndeshjet me Izraelin dhe Skocinë nuk ka marrë në kombëtaren e madhe as gardianin e Laçit, Gentian Selmani që është spostuar në ekipin “shpresa” të Bushit.

“Greku” Mihaj dhe prurjet e reja

Enea Mihaj

Për këto talente kuqezi që janë lënë në ekipin U-21, Panucci mund të “justifikohet”, pasi ka thirrur për herë të parë disa futbollistë të rinj shumë premtues. I pari, por njëkohësisht edhe më i përfoluri është “greku”, Enea Mihaj. Vetëm 20 vjeç, por titullar i padiskutueshëm në skuadrën e tij, Panetolikos, Mihaj prej kohësh kishte tërhequr vëmendjen e medieve sportive shqiptare por edhe atyre greke. Talenti dhe cilësitë e tij janë të padiskutueshme, por mbrojtësi 20-vjeçar ka tërhequr vëmendjen edhe me deklaratat e tij të forta, duke thënë se ndihet më shumë grek sesa shqiptar. Deri diku edhe mund të ketë të drejtë, pasi është i lindur në ishullin grek Rodos, nga prindër shqiptarë. Vetë 20-vjeçari pasi është zyrtarizuar që do të jetë pjesë e kombëtares shqiptare është shprehur se nuk tërhiqet nga fjalët që ka thënë, por se për kombëtaren shqiptare do të jap gjithmonë maksimumin.

“Zgjodha të pranoj ftesën e Shqipërisë, pasi më pëlqen Kristian Panucci. Unë nuk mund t’i ndryshoj gjërat. Jam lindur dhe rritur në Greqi dhe natyrisht ndihem më shumë grek. Babai dhe nëna ime kanë lindur në Shqipëri dhe për këtë arsye jam dhe shqiptar, vendi i origjinës time. Jam grek dhe shqiptar", ka thënë Mihaj, fjalë që nuk ngrohin shumë tifozët edhe pse ai premton që të jap maksimumin për ta rregulluar raportin me ta.

Egzon Binaku

Dy prurjet e tjera të Panuccit janë Egzon Binaku dhe Besir Demiri, që të dy mbrojtës. Binaku është një mbrojtës i konfirmuar dhe prej vitesh luan në kampionatet suedeze, teksa këtë verë ka bërë kalimin e madh te një nga skuadrat kryesore në Suedi, Malmo. Ai është një nga pretendentët e shumtë për të zënë vendin e Agollit në krahun e majtë të mbrojtjes. Besir Demiri është shqiptaro-maqedonasi i radhës që vendos të veshë fanellën kuqezi. 23-vjeçari luan në kampionatin ukrainas me FK Mariupol dhe pritet të jetë një alternativë e shtuar në krahun e majtë të repartit difensiv.

Rikthimet e bujshme

Migjen Basha dhe Ledian Memushaj gjatë një dyluftimi m Marco Verrati në ndeshjen Itali-Shqipëri

Në këtë grumbullim të parë të Uefa Nations League, Christian Panucci duket se ka bërë një prapa për një temë shumë delikate në kombëtare siç është ajo e kapitenit Ansi Agolli. Mbrojtësi 35-vjeçar ishte cilësuar si shumë i madh në moshë, nga trajneri Panucci vetëm disa muaj më parë dhe se ai do të punonte për të gjetur një tjetër futbollist që mund ta mbulonte atë pozicion në të ardhmen. Por kërkimet e teknikut italian nuk rezultuan aq shumë të suksesshme dhe është detyruar të rikthejë Agollin në skuadër. Ansi Agolli që me skuadrën e tij Qarabag siguroi kalimin në grupet e Europa League, ka treguar një formë shumë të mirë duke i dhënë një sinjal italianit që ishte gabuar me fjalët dhe vendimin që kishte marrë disa muaj më parë.

Agolli në ndeshjen Shqipëri-Itali, 0-1, e vlefshme per eleminatoret kampionatit Boteror Rusi 2018

Rikthime të rëndësishme në kombëtare për këto dy ndeshje janë edhe ato të veteranëve të mesfushës, Ledian Memushaj, Migjen Basha dhe Sabien Lilaj. Në kombëtare nga Amerika e largët është rikthyer edhe Jahmir Hyka që duket se ka përfituar nga mungesa e Roshit të dëmtuar dhe Latifit jashtë forme.

Mungojnë lojtarët nga kampionati shqiptar

Mes 25 futbollistëve te ftuar nga Panucci për dy ndeshjet e para të Ligës së Kombeve me Izraelin dhe Skocinë, bie në sy edhe një tjetër fakt. Është vetëm një lojtar i grumbulluar në ekipin kombëtar nga kampionati vendas dhe pikërisht portieri i tretë, Alban Hoxha. Në grumbullimet e fundit kanë qenë disa futbollistët e thirrur nga Panucci që luanin në Superligën tonë, por tashmë ka mbetur vetëm Alban Hoxha i Partizanit.

Alban Hoxha

Ndoshta në këtë pikë Panucci mund të mos ketë shumë faj, pasi edhe ata pak lojtarë cilësorë që luanin në Kategorinë Superiore dhe ishin pjesë e kontingjentit kuqezi deri vjet, tashmë kanë zgjedhur të largohen jashtë vendit. Duke filluar që nga Lilaj, Gavazaj, Guri e deri tek Abazaj kanë zgjedhur që këtë sezon të ri ta vijojnë karrierën e tyre në kampionate të huaja. Vetëm një lojtar në kombëtare nga kampionati vendas, do duhet të jetë një kambanë alarmi për instancat e futbollit shqiptar, për të bërë diçka në përmirësimin e nivelit të Superligës, që të jetë më shumë kontributore në ekipin kuqezi.

Dilemat e formacionit

Me 25 futbollistë të grumbulluar, Christian Panucci do ta ketë shumë të vështirë të zgjedhë formacionin startues në të dyja ndeshjet, por sidomos në atë me Izraelin, që është edhe para. Në “Elbasan Arena” përballë Izraelit për të mbrojtur katërkëndëshin, Panucci duket se ka zgjedhur që portieri i parë do të jetë Thomas Strakosha dhe Berisha do duhet të kënaqet me stolin. Vendimi i teknikut italian ndikohet edhe nga forma në këto ndeshje të para të kampionatit italian, ku Berisha ka qenë në stol, ndërsa Strakosha titullar i padiskutueshëm. Dilemat më të mëdha janë në mbrojtje. Me Mavrajn pa ekip, besohet se qendra e mbrojtjes do i besohet dyshes Gjimshiti dhe Veseli. Nga e djatha është i padiskutueshmi, Hysaj, ndërsa në të majtë rikthehet si titullar Ansi Agolli edhe pse Demiri dhe Binaku pretendojnë të debutojnë si titullarë.

Në mesin e fushës, Basha dhe Memushaj të rikthyer duket se e kanë të prenotuar një vend në mesin e fushës. Ndërsa mes Xhakës dhe Lilës do të ketë duel për vendin e titullarit. Në repartin ofensiv nga krahët besohet se Panucci do të hedhë, Grezdën dhe Hykën ndërsa maja e sulmit, për shkak të eksperiencës mund t’i besohet Bekim Balajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë