Kombetarja

Risia Çapele në Kombëtare: Mbrojtësi i Interit që refuzoi Mino Raiolan

Risia e listës së trajnerit të Kombëtares Shqiptare, Edy Reja, është padyshim emri i Ramen Çapele. Mbrojtësi që është prodhim i akademisë së Interit është i panjohur për publikun shqiptar, pasi nuk është përmendur më parë për një afrim të mundshëm në përfaqësuesen kuqezi. Profili i tij, edhe pse i panjohur, është disi interesant dhe me shumë perspektivë për të ardhmen.

I lindur në Itali më 21 Mars 2003, i riu me origjinë nga Lushnja, karrierën e nisi tek të rinjtë e Liventina, skuadra e qytetit të tij të lindjes. Sapo mbushi 14 vjeç, mëngjarashi u transferua te U-15 e Interit. Paraqitjet e mira me zikaltërit bënë që përfaqësuesja italiane ta afronte me ekipin U17, me të cilin luajti në vitin e fundit ndeshje zyrtare në tetor 2019 duke shënuar edhe dy gola. Paraqitje të cilat i siguruan atij edhe shiritin e kapitenit. Në të kaluarën Mino Raiola bëri gjithçka për ta patur në menaxhim, por ishte familja që refuzoi ofertën e menaxherit të famshëm.

Edhe pse i panjohur për tifozët, kontaktet me FSHF-në kanë qenë të vazhdueshme edhe në të kaluarën, por Panucci në krye të pankinës kuqezi nuk ia doli dot ta bindë. Ka qenë vetë trajneri Reja që ka folur me djaloshin e talentuar dhe familjen e tij. Fjalët e teknikut, e sidomos premtimi se mund të bashkohet me kombëtaren A, kanë bërë që ai të ndërrojë mendje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë