Futboll

Rinovimi faraonik i “Bernabeu”, mbi 500 milionë për stadiumin nr.1 në botë

Një projekt i rrallë për rinovimin e stadiumit të Real Madrid, “Santiago Bernnabeu”, që do ta bënte atë më të mirin në botë. Presidenti Florentino Perez është i vendosur për ta transformuar impiantin e kryeqytetit spanjoll me një çati lëvizëse, edhe pse kostot janë shumë të larta.

Në Madrid do të fillojë pas disa muajsh rinovimi faraonik i stadiumit “Santiago Bernabeu”. Projekti që mendohet të përfundojë për tre vjet, në mes të vitit 2022, do ta transformojë krejtësisht këtë stadium, që do të ketë një çati lëvizëse, hapja dhe mbyllja e së cilës do të zgjatë 15 minuta. Pavarësisht punimeve, tifozët e Realit nuk do të humbin asnjë ndeshje. Punimet më intensive do të kryhen në muajt e verës së viteve 2019, 2020 dhe 2021, kur ndërtuesit do të kenë në dispoizicion tre muaj pa ndeshje. Duket diçka e pabesueshme vendosja e çatisë, që do ta mbyllte stadiumin. Do të shtohen edhe dy kulla të tjera, që do të bashkohen me ato katër që janë aktualisht. Edhe në vitet 1992-1994, kur u ndërtuan katër kullat dhe lartësia prej 22 metrash u bë 45 metra, për t’i dhënë impiantit formën aktuale, stadium nuk u mbyll. Tifozët spostoheshin në atë kohë në sektorët ku nuk bëheshin punime, por asnjëherë nuk u mbyll stadiumi.

Pamja që do të marrë "Santiago Bernabeu" i ri

Projekti është prezantuar nga presidenti i Realit, Florentino Perez, dhe nga kryebashkiakja e qytetit, Manuela Karmena. Të gjithë kanë mbetur të shtangur, kur kanë parë pamjen që do të merrte stadium i ri. “Bernabeu i ri do të jetë një ikonë universale, do të jetë stadiumi më i mirë në botë. Do të kemi një tabelë emblematike 360 gradë, do të fitojë mijëra vende për tifozët dhe do të ketë më shumë hyrje dhe shkallë për të përmirësuar hyrjen dhe daljen. Do të jemi avangardë për teknologjinë dhe sigurinë”, - tha Perez.

Punimet do të fillojnë sapo të përfundojë kampionati me shembjen e qendrës tregtare të njohur si “Esquina del Bernabeu”, që zë një qoshe të strukturës. Shpenzimet për këtë projekt janë parashikuar të kapin shifrën e 525 milionë eurove. Është siguruar nga bankat një kredi prej 575 milionë eurosh, që do të shlyhet për 35 vjet. Madridi gjeneron çdo vit rreth një milliard euro, kështu që nuk ishte e vështirë që bankat të bindeshin për dhënien e huasë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë