Rinovimi i kontratës është diçka krejtësisht normale, kur klubi dhe një lojtar dëshirojnë ta vazhdojnë bashkëpunimin mes tyre. Por ka rinovim dhe rinovim. Atletik Bilbao, një klub i veçantë në Spanjë, që politikat e veta i mbështet kryesisht te futbollistët me origjinë baske, e ka rinovuar për 9 vite kontratën me sulmuesin Uilliams. Diçka e pazakontë. Kush thotë që nuk ka më flamuj në futboll, gabon, sepse po të lexosh njoftimin e klubit bask për rinovimin e këtij lojtari, mbetesh pa fjalë.
Injaki Uilliams ishte vënë kohët e fundit në shënjestrën e Mançester Junajtid, që tani duhet ta harrojë sulmuesin. Klauzola e tij në kontratën e re është 135 milionë euro. Njoftimi zyrtar për rinovimin e kontratës me Ulliams është bërë i ditur në faqen e Atletikos. Sulmuesi 25-vjeçar spanjoll, me origjinë ganeze, ishte në listën e zëvendësuesve të mundshëm të Lukakut te Mançester Junajtid, por duket e pamundur që ai të lëvizë nga Bilbao.
Kontrata e re e Uilliams skadon më 30 qershor të… 2028-ës! Në atë kohë, lojtari do të jetë 34 vjeç. Klubi bask ka ndryshuar edhe klauzolën e prishjes së kontratës me sulmuesin para kohe, duke kaluar nga 88 në 135 milionë euro. Një shifër e lartë kjo për t’u paguar edhe nga klubet më të mëdha europiane. “Sepse ti je një luan, sepse kjo është shtëpia jote”, – shkruan klubi i Atletik Bilbaos në njoftimin zyrtar për kontratën e re të Injaki Uilliams. Edhe vetë lojtari u shpreh mjaft i lumtur për rinovimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.