Politike

Rindërtimet në Kombinat, Kryemadhi: Prokuroria të hetojë për lëvizjen e parave nëpër banka

Për të shkuar nga zyrat qendrore të LSI tek Sheshi “Wilson” deri në Kombinat, kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi iu deshën 1 orë e 20 minuta. Kështu e filloi takimin Kryemadhi me banorë të Kombinatit duke e vënë theksin tek trafiku i rënduar, bllokimi i rrugëve dhe ndërtimeve pa kriter në Tiranë.

“...Pallatet që kombinatësit i kanë ndërtuar me gjakun e tyre, të prindërve të tyre, siç ndërtuan Kombinatin, tashmë Edi Rama kërkon ti largojë nga shtëpitë e tyre, pronat e tyre për tua dhënë oligarkëve për të ndërtuar kullat dhe për të kthyer truallin e kombinatësve në lulishte. Betejën e parë qytetarët e kombinatit e fituan. Fituan në Gjykatën Administrative për vendimet e parregullta që Bashkia e Tiranës ka marrë për tjetërsimin e pronave të kombinatësve. Ky është vetëm fillimi. Ne do ta çojmë deri në fund për të mbajtur jo veç fjalën që ju kemi dhënë, por sepse kjo është më njerëzorja, e ndershmja që secili nga ne ka.

Nëse ne nuk respektojmë pronën e tjetrit si mund të respektojmë të drejtat e njeriut, të shkollës, të shëndetit, të fjalës. E pra, kombinatasit që kanë shtëpitë aty do ti rindërtojnë prap me paratë e buxhetit të shtetit dhe jo paratë e tyre,“ tha Kryemadhi.

“I bëj thirrje Prokurorisë të hetojë për lëvizjen e parave që bëhet nëpërmjet bankave të nivelit të dytë nëpër qytetarë të tjerë, të cilët kërkojnë t’ju tjetërsojnë pronën apo votën”, shtoi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë