Rend dhe Ligj

Rinasi, si “han pa porta”, 4 grabitje në 4 vjet

Autoblindat e kompanive private të sigurisë dhe ruajtjes fizike që transportojnë në drejtim të Aeroportit të Rinasit shuma të konsiderueshme vlerash monetare kanë qenë shënjestra e preferuar e grabitësve në katër vitet e fundit.

Janë të paktën 6 raste të bëra publike nga 2015 e deri në grabitjen e fundit të ndodhur këtë të martë. Në katër prej këtyre grabitjeve autorët ja kanë arritur qëllimit të tyre, ndërsa në dy raste grabitjet kanë mbetur në tentativë, një herë pasi nuk hapën dot kasafortën e mjetit të blinduar që po transportonte paratë dhe në një rast tjetër pas rezistencës që hasën nga ana e punonjësve të sigurimit privat.

Autoblindi i grabitur ne dhjetor te 2015

Grabitja e parë masive ndodhi në fillim të dhjetorit të 2015 në zonën e njohur si Qafa e Kasharit, pikërisht, disa qindra metra në rrugën që lidh autostradën Tiranë-Durrës me Aeroportin e Rinasit. Autorët u dolën përpara makinave të policisë private duke përplasur njërën prej tyre, ndërkohë që njëri prej grabitësve qëlloi me shpejtësi në drejtim të shoferit të blindit. Plumbi shpoi xhamin e përparmë të makinës, por fatmirësisht nuk e goditi.

Autorët morën rreth 3 milionë euro, që i përkisnin një banke të nivelit të dytë, që po e transferonte atë jashtë vendit. Rojet e policisë private u arrestuan. Në dëshminë që dha, shoferi i autoblindit tha se grabitësit nuk kishin synuar vrasjen e tyre, por përmes goditjes me një saktësi prej ushtarake e kishin paralajmëruar që të mos kryente asnjë veprim.

Në fund të qershorit 2016 ndodh edhe grabitja e dytë, e para që ndodhte brenda rrethimit të Aeroportit “Nënë Tereza”. Autorët hynë me një mjet tip Mercedes Benz ngjyrë të kuqe në pistë dhe dolën prej andej me rreth 1 milionë euro të grabitura.

Makina humbet gjurmët nëpër rrugët dytësore në fshatrat mes Tiranës dhe Fushë-Krujës dhe gjendet më vonë e djegur në një në afërsi të fshatit Domje. Edhe këtë herë autorët ja dolën mbanë që të largoheshin pa u hyrë gjemb në këmbë.

Automjeti me te cilin u larguan autoret u gjet i djegur disa ore me vone

Ndryshe nga grabitja e parë, ku përgjegjësinë më të madhe e kishte policia private, këtë herë një pjesë të mirë të fajit e kishte edhe Policia e Shtetit, pasi grabitja kishte ndodhur brenda ambienteve të Aeroportit.

Saimir Tahiri, në atë kohë ministër i Brendshëm deklaronte vendosmërinë për kapjen e autorëve, ndërkohë që paralajmëronte ndryshime ligjore duka ua kaluar transportin e vlerave monetare vetëm Policisë së Shtetit.

Ndryshimet nuk ndodhën, por ajo që ndodhi ishte grabitja e radhës, thuajse në të njëjtin vend ku kishte ndodhur grabitja e 2015. Në shkurt të 2017-s u grabitën 2 milion e 400 mijë Euro, 200 000 Dollarë amerikanë, 260 000 Paund britanik, 85 000 Franga zviceranë, 30 000 Dollarë australianë dhe 30 000 Dollarë kanadezë. Paratë po transportoheshin gjatë rrugës për në Rinas, pranë fshatit Domje, kur u grabitën nga persona të armatosur.

Foto nga grabitja e 2017

Edhe në këtë rast autorët u larguan paq nga vendi i ngjarjes. Pak ditë më vonë policia arrestoi katër persona të dyshuar si autorë të grabitjes së ndodhur në dhjetor të 2015 dhe të asaj të ndodhur më 9 shkurt 2017. Të arrestuarit ishin Fation Xhyli, Ditjon Memlika, Neim Avdylaj dhe Ernest Kupa.

Policia tha se kishte sekuestruar të groposura në tenxhere një sasi të parave të grabitura, ndërkohë që shpalli në kërkim 2 persona të tjerë. Dyshohej se Fation Xhyli, si ish-punonjës i një shoqërie private të sigurisë ishte në dijeni të ditës dhe orës së transportit, ndërsa Neim Avdulaj si ish-ushtarak i forcave Komando të Zall-Herrit kishte ndërtuar planin e veprimit, ndërsa arratisja ishte bërë në bashkëpunim me Ernest Kupën, që ka një biznes pranë zonës. Kupa dyshohet edhe si pjesë e bandës së “Babagjyshëve” e famshme për grabitjen spektakolare të një argjendarie në qendrën tregtare “TEG”.

Ish-ushtaraku i forcave speciale, Neim Avdulaj i dyshuar si pjese e bandes se grabitesve

Me arrestimin e këtyre personave u mendua se koha e grabitjeve të autoblindave me paratë e bankave të nivelit të dytë kishte përfunduar. Por jo. Grabitja e fundit e ndodhur sërish brenda ambienteve të Aeroportit të Rinasit tregon edhe njëherë tjetër paaftësinë e autoriteteve dhe shoqërive private të sigurisë për të ruajtur një hapësirë kaq të rëndësishme.

Në rastin e fundit, e vetmja viktimë ishte njëri prej grabitësve, por fatmirësisht objektivi në dy thyerjet e sigurisë në Rinas kanë qenë paratë dhe jo ndonjë agjendë tjetër me pasoja shumë herë më të rënda, siç mund të jetë terrorizmi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë