Brenda javës që sapo ka nisur, Qeveria në detyrë e Kosovës pritet që të marrë një vendim lidhur me nisjen e zbatimit të buxhetit të këtij viti për Rimëkëmbje Ekonomike.
Në një postin në llogarinë e tij në Facebook, Zëvendësministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi ka bërë të ditur se së pari do të merret një vendim i përgjithshëm në Qeveri për implementim të përgjithshëm të pakos së rimëkëmbjes ekonomike për tërë shumën prej 222.4 milionë euro.
Ai ka sqaruar se nenet nga ky ligji të cilat nuk kanë kërkuar ndarje buxhetore kanë filluar së zbatuari që pas aprovimit të ligjit në dhjetor 2020 si: tërheqja e kursimeve nga Trusti Pensional, lirimet tatimore etj.
“ Pjesët tjera të ligjit fillojnë së zbatuari me fillimin e ekzekutimit të buxhetit për vitin 2021 sipas mundësive buxhetore. Së pari, do të merret një vendim i përgjithshëm në qeveri për implementim të përgjithshëm të pakos për rimëkëmbje ekonomike për tërë shumën prej 222.4 mln euro. Në këtë vendim mjetet të cilat nuk janë të dedikuara për qëllime të caktuara do të ndahen nëpër institucione për zbatimin e masave të caktuara në mbështetje të biznesit, individëve dhe ministrive/komunave të cilat mbulojnë fusha të caktuara. Me vendime të veçanta do të alokohen fondet në zbatim të pikës 3 ku ministritë zbatuese përcaktojnë kriteret dhe afatet për implementim të këtyre masave.”- ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij, bizneset dhe qytetarët duhet të presin ministritë e linjës për t`u informuar për mënyrën se si do të shpërndahen këto fonde, kriteret që duhet të plotësohen për të qenë përfitues dhe kohën e aplikimit nëse nevojitet aplikim.
Prioritet ka sqaruar zv/ministri në detyrë i Financave, për fillim do të kenë fusha në të cilat është i domosdoshëm fillimi i zbatimit të masave: si p.sh arsimi, vijimi i pagesave për shtesa për sektor të caktuar, pagesat për të vet-punësuarit dhe ata që kanë humbur vendet e punës.
“Gjatë vitit 2021 do të ketë zbatim të plotë të pakos së rimëkëmbjes ekonomike. Fillimi i zbatimit të masave pritet të filloj gjatë janarit të këtij viti. I tërë procesi i implementimit do të zbatohet në mënyrë transparente.”- ka përfunduar ai njoftimin në Facebook.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.