Futboll

Rikthehet Laçi, Tirana zhytet në “zonën e ftohtë”

Ishte vetëm një “flluskë në ajër” ajo fitore 4-0 me Kastriotin një javë më parë, Tirana është rikthyer te humbjet. Skuadra e drejtuar nga Ardjan Mema është mposhtur në raundin e 17-të të Superligës nga Laçi. Kurbinasit me Besnik Prengën në stol ka hedhur pas krahëve rezultatet negative të javëve të fundit dhe tashmë e shikojnë më afër podiumin e Superligës.

Laçi kishte hyrë në fushë për ta fituar këtë përballje, gjë që e tregoi që në minutat e parë, duke sulmuar dhe vënë në rrezik portën e Tiranës. Pas një presingu të vazhdueshëm, Laçi do e gjente golin e parë me anë të Xhixhës në minutën e 14’. Edhe pas këtij goli, laçianët do të vijonin të qëndronin në sulm, duke kërkuar dyfishimin. Ky i fundit nuk do të vononte shumë, pasi vetëm 11 minuta më vonë, ishte Frangaj, që i çoi shifrat në 2-0.
Vetëm pas kësaj rrjete të dytë, Tirana u kujtua të zgjohej dhe rrezikoi portën e Selmanit me anë të një traverse të Blazhevskit.

Në pjesën e dytë, do të ishte sërish Laçi që kishte kontrollin e lojës, por më i kujdesshëm për të mbrojtur rezultatin. Pas disa zëvendësimeve të kryera nga trajneri Ardjan Mema, bardheblutë guxojnë më shumë dhe i afrohen disa herë golit. Në minutën e 74’, do të ishte shtatlarti Majkëll Ngo që shkurtoi diferencën në 2-1. Pas këtij goli Tirana tentoi të merrte një barazim nga kjo sfidë, por nuk e kishte forcën e duhur për t’ia arritur qëllimit.

Deri në fund shifrat mbetën 2-1 dhe Laçi konsolidon pozitat e tij në vendin e 5 të renditjes. Nga ana tjetër Tirana vijon të mbetet në zonën e rrezikshme dhe tashmë fillon ta ndjejë akoma dhe më shumë rrezikun që vjen nga “zona e ftohtë” e tabelës.

Laçi: Selmani, Fangaj, Mersinaj, Gjoni, Sefgjini, Eller, Jonuzi, Lushkja, Berisha, Xhixha, Shtubina. Trajner: Besnik Prenga. 

Tirana: Abibi, Doka, Hoxhallari, Turtulli, Imami, Daja, Maveje, Karabeci, Blazhevski, Hasani, Greca. Trajner: Ardian Mema.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë