Futboll

Rikthehet Championsi, Liverpuli nis mbrojtjen e kurorës ndaj…Hysajt

Ka ardhur ora e Champions League. Mbrëmjen e sotme starton faza në grupe e kompeticionit më të rëndësishëm europian në nivel klubesh. Zbresin në fushë skuadrat e grupeve E, F, G dhe H, me sfida mjaft interesante. Mbrëmja e gjatë nis me Interin, që rikthehet në Champions me pretendime. Zikaltrit presin në fushën e tyre Sllavian e Pragës dhe kanë një mundësi shumë të mirë për ta nisur me fitore, duke ditur që çekët janë një ekip modest.

Projektorët do të jenë të fokusuar në dy ndeshje, Napoli-Liverpul dhe Borusia Dortmund-Barcelona. Kampionët në fuqi të Europës, Liverpuli, e nis kështu mbrojtjen e kurorës në shtëpinë e Elseid Hysajt, i cili është e vetmja mungesë e trajnerit Karlo Ançeloti për shkak dëmtimi. Kapiteni i Shqipërisë ka pësuar një dëmtim muskulor dhe nuk luajti as në kampionat ndeshjen e fundit. Në krahun tjetër, trajneri Jurgen Klop nuk ka të gatshëm portierin brazilianin Alison, një nga pikat më të forta të skuadrës. Janë dy ekipe që luajnë futboll të hapur dhe pritet spektakël në “San Paolo”.

Nga një ndeshjes mes Napolit dhe Liverpulit në Champions. Gazeta Si, 16 shtator 2019

Në Dortmund, Borusia sfidon Barcelonën me Mesin e rikthyer, por ende në dilemë për ta nisur titullar apo nga stoli. Janë dy skuadra që bëjnë pjesë në Grupin F, bashkë me Interin dhe Sllavian. Gjermanët do të përpiqen të shfrytëzojnë ndihmën e “Murit të verdhë”, tifozëve që sot pritet të jenë më të shumë se kurrë më parë. Dy francezët Dembele dhe Umtiti mungojnë te katalanasit, por edhe Borusia ka disa mungesa.

Çelsi i Frenk Lampard, pavarësisht bllokimit të merkatos nga FIFA, synon të lërë gjurmë të paktën në këtë fazë të Championsit. Sot pret Valencian dhe disa lojtarë janë në dyshim, megjithatë edhe me lojtarët e rinj londinezët janë në gjendje të nxjerrin ndeshje të mëdha.

Ndeshjet e sotme
Inter-Sllavia Pragë
Lion-Zenit
Ajaks-Lilë
Benfika-Leipcig
Çelsi-Valencia
B.Dortmund-Barcelona
Napoli-Liverpul
Salcburg-Genk


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë