Drejtësia

Rikthehet çështja ‘Tahiri’, nis sot shqyrtimi i rekursit në Gjykatën e Lartë

Gjykata e Lartë do të shqyrtojë këtë të martë çështjen ndaj ish-ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, i akuzuar më herët për trafik narkotikësh dhe grup kriminal ne bashkëpunim me klanin “Habilaj”.

Tahiri ka mbërritur në mëngjes në seancë së bashku me përfaqësuesit e tij ligjorë.

Ish-ministri u dënua nga Gjykata për Krimet e Rënda për shpërdorim detyre me 3 vite shërbim prove, ndërsa Apeli i posaçëm e apeloi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në shkallën e parë.

Por përmes avokatit të tij, Tahiri iu drejtua me rekurs Gjykatës së Lartë që tashmë pritet të shqyrtojë çështjen. Seanca është e mbyllur për median. Relator i çështjes së ish-ministrit Tahiri është Sandër Simoni.

Të njëjtat akuza janë ngritur edhe për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i cili u dënua me 3 vite e 4 muaj burg, vendim për të cilin edhe ai ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.

Tahiri dhe Çela akuzohen se kanë favorizuar grupin Habilaj në trafikun e lëndëve narkotike nga Vlora drejt Italisë, në kohën që ishin respektivisht ministër i Brendshëm dhe kreu i Policisë së Vlorës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë