Futboll

Riberi vendos për të ardhmen, firmos për 2 vjet me ekipin italian

Karriera e francezit Frenk Riberi, i cili bëri histori me Bajern Mynih, do të vazhdojë në Itali. Akordi është arritur tashmë. Sulmuesi veteran do të firmosë për dy vjet me Fiorentinën, duke provuar kështu edhe Serinë A.

Riberi do të jetë nesër në Firence për të kryer testet mjekësore. Atë e pret një kontratë dyvjeçare, me një rrogë prej rreth 4 milionë eurosh në sezon. "Gati për një sfidë të re”, - shkruan futbollisti francez në profilin e tij në Instagram. Një ish-shok skuadre i 36-vjeçarit, sulmuesi Luka Toni, e ka pyetur: "Vëllai im, lojtar i madh, do të vish në Itali?” Përgjigja e francezit ishte “e koduar”, por edhe me shenjën e “ok”-it, që do të thotë se gjithçka mes tij dhe drejtuesve të Fiorentinës, është e mbyllur tashmë. Riberi do të veshë fanellën vjollcë të Fiorentinës sezonin e ardhshëm dhe për herë të parë do të luajë në kampionatin italian.

https://www.instagram.com/p/B1W1wqmiV6o/?utm_source=ig_web_copy_link
Postimi i Riberi, ku paralajmëron kalimin në Itali

Pak kohë më parë Frenk Riberi i dha lamtumirën Bajernit, ku fitoi gjithçka. Më parë ai ka luajtur në Turqi me Gallatasarajin dhe në Francë me Olimpikun e Marsejës. Drejtuesit e Fiorentinës besojnë se eksperienca e francezit do ta ndihmojë skuadrën për të arritur rezultatet të larta sezonin e ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë