Politike

Rezoluta me 97 vota, Rama: Meta ky taleban, ta neutralizojmë shpejt

Me 97 vota pro, asnjë kundër dhe katër abstenime, Parlamenti votoi rezolutën kundër presidentit Ilir Meta. Mazhoranca dhe opozita kanë bashkuar votat në seancën e së enjtes duke i dhënë një kundërpërgjigje të fortë presidentit Ilir Meta ndaj dekretit të nxjerrë për emërimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Një seancë që ka zgjatur më pak se herët e tjera dhe kjo për faktin se kryeministri Edi Rama, edhe pse kishte 70 minuta kohë për të diskutuar, preferoi të kursente duke kërkuar votimin sa më të shpejtë të rezolutës. Gjithsej Rama foli 22 minuta dhe se pjesën më të madhe preferoi të shmangte fokusin e diskutimit ndaj Ilir Metës. Ai e cilësoi dekretin për Xhaferllarin si një marrëzi e radhës, e njëjtë me atë të anulimit të zgjedhjeve. “Sa i përket çështjes për të cilën jemi mbledhur ajo që unë di është që asnjë Kushtetutë në asnjë vend demokratik nuk mund të parashikojë se një vendi mund ti bjerë taksirati të ketë një presidenti si Ilir Meta. Për këtë arsye ky Parlament duhet të marrë masa ligjore kushtetuese për të krijuar gjithë mekanizmat zhbllokues ndaj çdo akti flagrant bllokimi që zyrën e presidenti e ka kthyer në një frëngji për të shantazhuar Parlamentin, ndërkombëtarët, dhe popullin shqiptar. Komisionin hetimor duhet ta konsideroj seriozisht paketën e rekomandimeve, komisioni i ligjeve dhe të gjithë deputetët duhet të kontribuojë për të riardhur në këtë Kuvend, dhe për të votuar neutralizimin e akteve antikushtetuese dhe ligjore të presidentit. Meta nuk kursen as partnerët strategjik e as dy aleatët e mëdhenj të palëkundur dhe të pandryshueshëm SHBA dhe BE, duke na vënë të gjithëve në një pozitë jo komode, për të thënë fjalët e fundit”, theksoi Rama.

Kryeministri Edi Rama duke folur në seancën e sotme. Gazeta Si, 15 nëntor 2019


Kryeministri u shpreh se përpara se Parlamenti të votonte për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese është konsultuar me SHBA dhe BE, si me EURALIUS dhe OPDAT, dhe sipas tij, ka marrë dakordësinë për ta cilësuar si të zgjedhur në mënyrë automatike Arta Vorpsin, pasi presidenti nuk pranoi të zbatonte afatin 30 ditor. Pra sipas tij, vendimi është marrë në dakordësi 100% me aleatët strategjikë, për të cilin i kundërvihet presidenti.

Kryeministri ndërkohë bëri të ditur se më 25 nëntor do të bëjë publike platformën kundër atyre që cilësohen te grupi “Kap ça të kapësh”. “Kam qenë këtu kur kam folur për rastin skandaloz të Durrësit. Jam zotuar se do ti sjell kuvendit një platformë ligjore për tu miratuar dhe për tu kthyer në një platformë lufte kundër KÇK. Në 25 nëntor unë do ti prezantoj publikut këtë platformë. Kjo është koha kur i gjithë ky zinxhir krizash i sajuar artificialisht nga Ilir Meta të marrë drejtimin e duhur dhe përgjigjen e duhur nga ne. Kjo është koha kur përgjigjja jonë duhet të jetë pa asnjë ekuivok dhe duhet të tundë themelet mbi të cilat sot e gjithë ditën qëndron ngrehina e krimit të organizuar në Shqipëri. Duke tundur themelet e çdo pasurie të krimit dhe kujtdo që brenda sistemit të drejtësisë është bashkuar me krimin”, deklaroi Rama. Ndërsa iu rikthye sërish presidentit, duke theksuar se “na ka rënë ky taksirat, i ka rënë ky taksirat shqiptarëve dhe do bashkëjetojmë me këtë taksirat për aq kohë sa zyra e presidenti do të jetë tokë e xanun nga dikush që ka humbur busullën”.

Kryeministri Edi Rama duke folur në seancë. Gazeta Si, 15 nëntor 2019


Ndërsa nuk ngurroi ta cilësonte Metën edhe si taleban në fund të fjalimit të tij. “Ne do ndjekim vijnë që kemi përcaktuar bashkë me aleatët. Për sa kohë SHBA dhe BE kanë mbështetur çdo lëvizje që kemi bërë kushdo që kupton kupton. Ne nuk jemi vetëm në këtë proces. Reagimet tona janë të koordinuara me ata që kemi bërë reformën në drejtësi. Kjo është arsye që edhe për ligjin special. Do të jemi në një luftë që nuk është parë ndonjëherë në Shqipëri. Të votojmë rezolutën dhe të vazhdojmë pa humbur fokusin në detyrat tonë Nuk jemi në luftë me Ilir Metën, ai ka luftë me Botën dhe Europën. Kemi detyrën të shmangin efektet negative mbi vendimet e tij mbi proceset zgjedhore, të institucioneve të drejtësisë, ku ky njeri ka marrë përsipër të jetë interpretuesi i vetëm, njësoj si talebanët që e cilësojnë veten si interpretuesit e vetëm të ligjit të shenjtë”, mbylli Rama diskutimin e tij.

Votimi i Rezolutës në Parlament. Gazeta Si, 15 nëntor 2019


Deputetët e opozitës kanë qenë të përçarë në qëndrimet e tyre, edhe pse ata akuzuan mazhorancën për arsyen se pse e ka zgjedhur Metën si president. Deputeti opozitës, Lefter Maliqi akuzoi kolegët e tij se janë të blerë nga ana e mazhorancës. “Ju deputetët të rinj që jeni këtu. Disa prej jush janë të ndershëm, por disa punojnë për këtë këtu (Ramën). Këta janë të pafytyrë. Babëzia e këtyre është shumë e madhe dhe i bëj thirrje të gjithëve të ngrihen në një revolucion të ri për diktaturën që këta po instalojnë”, u shpreh Maliqi.

Drafti i rezolutës i rishikuar. Gazeta Si, 15 nëntor 2019


Ndërsa Andi Përmeti në fjalën e tij theksoi se Rama dhe Meta janë ata që përfaqësojnë grupin “KÇK”. “Vorpsi vajti te noteri dhe e noterizoi, duke i treguar se më i rëndësishëm për të është vendi i punës. Këtë e bëri edhe Xhaferllari, ajo e dinte se nuk mund të ishte gjyqtare, duke qenë e katërta në listë. Prandaj sot shqiptarët janë të zhgënjyer, këtu ka dy kryetar të KÇK për të kapur gjithçka ka ardhur kohë që ti largojmë përfundimisht, e natyrisht SPAKU është te dera vetëm ai do të jetë suksesi i reformës në drejtësi”, tha Përmeti.
Ndërsa Rudina Hajdari nuk preferoi të fliste për këtë çështje dhe se për këtë foli Korab Lita, i cili theksoi se “kjo seancë i ngjan shprehjes ku hajduti thërret kapeni hajdutin”, duke akuzuar mazhorancën për shkatërrime institucioneve. Pas këtyre qëndrimeve u votua rezoluta e Parlamentit, e cila mësohet se ka pësuar disa ndryshime të vogla dhe u votua. Rama gjatë diskutimit në bllok të deputetëve të opozitës nuk ishte në sallë, ashtu edhe Ruçi. Siç duket ata janë mbledhur së bashku për t’u konsultuar mbi tekstin e rezolutës dhe të faktit të njohjes me deklaratat e forta të Metës, ku paralajmëronte se me një dekret edhe mund të shpërndahet parlamenti.

PS i “përmend” burgun, Balla: Dvorani, gjyqtari që ishte kundër Metës për videon me Priftin

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në seancën e sotme parashtroi arsyet e paraqitjes së projektrezolutës “Shmangia e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”. Shefi i grupit të PS-së akuzoi presidenti Meta se po pengon plotësimin e vakancave në Kushtetuese. “Ky president do të mbahet mend gjatë se u vetëtregua si kundërshtari më i madh i Gjykatës Kushtetuese. Presidenti po pengon plotësimin e vakancave në Gjykatë që duhet të luajë rolin e vet kushtetuese si mbrojtëse e demokracisë dhe sundimit të ligjit”- tha ai, duke sqaruar se ekspertët i kanë parashikuar ndërkohë edhe mekanizmat zhbllokues, e për këto mekanizma ka sugjerimet e veta edhe Komisioni i Venecias. Gjatë fjalës së tij, Balla u fokusua edhe te sulmet e presidentit ndaj kreut të KED-së, Adrian Dvorani, duke theksuar se Meta po përdor institucionin e Presidentit për të atakuar gjyqtarin që ka qenë pjesë e hetimit të dosjes në ngarkim të tij, e që sipas Ballës, kishte mendim të kundërt me 4 anëtarët e tjerë të trupës gjykuese.
“I bëj apel presidentit, është e papranueshme që në cilësinë e kryetarit të shtetit të përgojojë me pa të drejtë drejtues të institucioneve të tjera në vend. Kushtetuta jonë e ka vendosur në majën e piramidës institucionale, por nuk ndodh asgjëkundi që presidenti të marrë nëpër gojë kryetarin e KED-së. Edhe pse në rastin në fjalë, atë të zotit Dvorani, presidenti duhet të jetë i fundit në këtë vend për t’u marrë me Dvroranin, sa kohë që ai ka qenë një prej 5 gjyqtarëve të dosjes penale në ngarkim të Ilir Metës, e që në atë dosje të paktën zoti Dvorani ka pasur mendim kundër me 4 anëtarët e tjerë. E kjo duhet të jetë pjesë e Kodit Etik të çdo personi të dënuar dhe të padënuar kur bëhet fjalë për një çështje gjyqësore ndaj tij”, tha ai.

Më tej ai theksoi se “është e padrejtë për këdo, por më shumë për ne që kemi mandate përfaqësuese, apo presidenti që të përdorë institucionin e Presidentit për të atakuar një ish gjyqtar që ka gjykuar një çështje në ngarkim të tij e që për rastin në fjalë mund të ketë kërkuar edhe burg”- tha ai.
Balla i referohet rastit të çështjes së Metës kur ishte në hetim në kohën kur ishte zv.kryeministër dhe kur Gjykata e Lartë gjykoi videon e famshme Meta-Prifti, që u bë sebep edhe për protestat e opozitës socialiste të 21 janarit.
Ndërsa për emërimin e Xhaferllarit, Balla deklaroi se Meta ka shkelur ligjin, pasi sipas KED-së duhet të përzgjidhte kandidatin e tretë në listë dhe jo të katërtën.
“Ka emëruar një kandidat që është në vendin e katërt, pra nuk mund të shkosh as te i katërti edhe as te i pesti. Duke emëruar kandidatin e katërt, me justifikimin se dy prej anëtareve në listë janë zgjedhur nga Kuvendi. Ky është një arsyetim që mund ta bëjë vetëm një që ka një synim paraprak. KED është organi i vetëm që paraqet tre kandidatë. Kjo rezulotë e sotme është një apeli i të gjithë anëtarëve të Kuvendit për të vijuar misionin që kemi përpara për të implementuar reformën në drejtësi. Është propozuar në projektrezolutë që në radhë të parë Gjykata Kushtetuese të mos zbatojë delegjitimin e funksionimit të këtij institucioni. Për të lejuar Arta Vorpsi, Elsa Toska, Fjona Papajorgji të ushtrojnë detyrën”, deklaroi Balla.

Më Shumë